E Shtunë, 31 Tetor 2026

SKANDAL Mori padish mbi Kthimin e Pronave

Banorë të fshatrave të largët janë kompensuar me prona në bregdet. Skandale edhe në shpronësimet e rrugës Transballkanike Gjykata e Rrethit të Vlorës zotëron një mori padish nga qytetarë të ndryshëm, të cilët pretendojnë se prona e tyre i është dhënë dikujt tjetër. Skandale edhe me shpronësimet

Duket se një nga qytetet më të lakmuar për prona dhe kryesisht në bregdet, tashmë prej kohësh ka rënë pre e spekulimeve në regjistrat e Agjencisë Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, spekulime këto që mbartin firmën e kryetarit aktual, Petraq Puleri. Kështu, pjesa më e madhe e pronave në bregdet u është dhënë pronarëve që nuk figurojnë në gjendjet civile përkatëse, por janë banues të fshatrave të largët në Vlorë, ku edhe u takon toka. Burime nga Bashkia e Qytetit të Vlorës vënë në dukje për “Korrierin”, se zona e Orikumit është pjesa më e cunguar dhe tashmë e mbushur me pronarë të paligjshëm. “Pas verifikimeve në regjistrat e Gjendjeve Civile, na ka rezultuar se në dy raste, për sipërfaqe deri në 10 mijë metra katrorë në zonën e Orikumit shtetasit që janë pajisur me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi nuk figurojnë banorë apo ish-banorë të asaj zone, por të fshatrave shumë larg territorit ku kanë fituar pronësinë”, pohojnë burimet. Sipas të njëjtave burime, probleme janë shfaqur edhe brenda zonës urbane të qytetit të Vlorës, ku ia vlen të përmendet një rast flagrant i pajisjes me tokë pa të drejtë pranë rrugës “Transballkanike”, ku “pronari” është kompensuar më pas me pronën ku ka kaluar rruga.

Sipërfaqet ku është abuzuar

“Aktualisht jemi në gjendje të konfirmojmë si të dhëna ilegalisht më shumë se 30 hektarë truall në zonën e Orikumit, sikurse edhe një sipërfaqe prej 40 dynymësh në zonën pranë rrugës “Transballkanike”. Evidentojmë se për 30 hektarët e Orikumit ka dy ankesa nga qytetarët, të cilët kanë ndërmarrë edhe kallëzim penal ndaj AKKP-s së Vlorës pranë gjykatës së rrethit”, pohojnë për gazetën burime nga Bashkia e Vlorës. Sipas fakteve të mbledhura, një person duhet të ishte kompensuar me një pronë në kodër, por në realitet atij i është dhënë një pronë në zonën bregdetare.

Vonohet shqyrtimi i kërkesave

Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për Vlorën ka mbyllur procesin e grumbullimit të dokumentacionit përkatës për të gjithë qarkun, duke e përcjellë atë drejt Zyrës Qendrore. Prej krijimit të kësaj strukture, gjatë dy viteve të fundit në Vlorë janë në proces më shumë se 450 dosje. Por një pjesë e konsiderueshme e aplikantëve ankohen për vonesë shqyrtimesh lidhur me pajisjen me Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi. Një pjesë e madhe e tyre u tremben vonesave, pasi ka pasur shumë raste kur prona nuk ka shkuar tek i zoti, por është marrë nga persona që nuk figurojnë as në regjistrat e Gjendjes Civile për të gjithë qarkun.

Disa nga rastet ku evidentohet shkelje

1- Një sipërfaqe prej 40 dynymësh është kaluar në emër të një pronari, i cili nuk ka dokumentet ligjore për të përfituar tokën ose edhe shpronësimin, sepse toka në fjalë është bërë pjesë e urbanistikës së rrugës “Transballkanike”.

2- Në zonën e Orikumit, një sipërfaqe prej 25 hektarësh i është dhënë një pronari, të cilit toka i takon shumë më larg sesa ajo të cilën ka aktualisht me letra.

3- Përsëri në zonën e Orikumit, sipërfaqja prej 15 hektarësh i është kompensuar një pronari, i cili nuk zotëron dokumentet që kërkon ligji dhe ishte kompensuar pa dokumentet që kërkonte ligji.

Ja sa është vlerësuar kompensimi i truallit në Vlorë

Lagjja “1 Maji”, “Qeriba Derri” 22748 lekë/m2

Lagjja “24 Maji” 14392 lekë/m2

Lagjja “10 Korriku” 28733 lekë/m2

Lagjja “Pavarësia” 26882 lekë/m2

Lagjja Uji i Ftohtë 27741 lekë/m2

Lagjja “Isa Boletini” 25597 lekë/m2

Lagjja “Lef Sallata”/ “Rilindja” 36403 lekë/m2

Lagjja “28 Nëntori” 24860 lekë/m2

Lagjja “Dëshmorët” 29842 lekë/m2

Lagjja “Hajro Çakërri” 35552 lekë/m2

Lagjja “Osman Haxhiu” 25152 lekë/m2

Lagjja “15 Tetori” 26625 lekë/m2

Lagjja “Kushtrimi” 25889 lekë/m2

Lagjja “Partizani” 14273 lekë/m2

Lagjja “Lirimi” 24539 lekë/m2

Lagjja “Jalli”/ Nartë 22232 lekë/m2

Lagjja “4 Heronjtë” 21054 lekë/m2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›