E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërheqja e depozitave ka vazhduar deri në mars

 

Fabiola Çela

Vazhdon frenimi i rritjes së portofolit të kredive dhe depozitave në banka. Edhe pse të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 3-mujorit të parë të vitit vërehet një rritje e tyre, Banka e Shqipërisë ka sqaruar se kjo rritje ka ardhur vetëm si pasojë e kursit të këmbimit pra, si rrjedhojë e zhvlerësimit të lekut kundrejt valutës. Ndryshe nga muajt e mëparshëm gjatë këtij 3-mujori bankat kanë dhënë më shumë kredi për biznesin krahasuar me individët. Edhe gjatë tre-mujorit të parë klientët të trembur nga kriza globale bankare kanë vazhduar të tërheqin paratë që kishin depozituar në banka.
Kreditë
Bankat kanë shtrënguar ndjeshëm dhënien e kredive. “Ritmi i rritjes së kredisë vlerësohet rreth 5.25 për qind apo 20.84 miliardë lekë, kundrejt rritjes me 5.07 për qind (19.14 miliardë lekë) një tremujor më parë. Në bazë vjetore (mars’08-mars’09) vërehet rritje në nivelin 33.3 për qind apo 104.3 miliardë lekë. Megjithatë, rritja vjen kryesisht nga ndikimi i kursit të këmbimit. Analiza e kredisë në monedhë origjinale tregon për rënie të kredisë në valutë në monedhat kryesore. Kjo do të thotë se në mungesë të ndryshimit të kursit të këmbimit, kredia në total u rrit 2.94 miliardë lekë, ose 0.74 për qind”, thuhet në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Por në krahasim me muajt e mëparshëm, gjatë kësaj periudhe bankat kanë dhënë më shumë kredi për biznesin. “Ndryshe nga tremujori paraardhës, analiza e dinamikës së strukturës së portofolit të kredive këtë tremujor dallon për ritmin më të lartë të rritjes së kredisë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve”, thuhet në raportin e BSH-së. Por edhe pse bankat kanë rritur kreditimin për biznesin, ky i fundit vazhdon të jetë problematik në kthimin e saj. “Rritmi i rritjes së kredive me probleme është reduktuar gjatë tremujorit të parë të vitit në 19.73 për qind. Raporti “kredi me probleme/teprica e kredisë”, përllogaritet në nivelin 7.55 për qind krahasuar me 6.64 për qind në fundvitin 2008. Ky tregues regjistroi nivelin më të lartë të gjashtë viteve të fundit në muajin shkurt të vitit 2009, kur arriti nivelin 7.77 për qind. Cilësia e kredive vijon të shfaqet më problematike për bizneset. Gjithashtu, portofoli i kredive në lekë vijon të jetë më problematik në drejtim të cilësisë së tij kundrejt portofolit të kredisë në valutë”, thuhet në raportin e bankës qendrore. Sipas BSH-së fenomeni i tërheqjes së depozitave, i cili u shfaq fillimisht gjatë muajit tetor 2008, ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›