Barazon Çelsi, mërzitet Ançeloti, i zhgënjyer nga 2-2 me Apoelin
Çelsi ka fituar grupin e Champions League një ndeshje para fundit, por Karlo Ançeloti nuk është i kënaqur si duhet. Trajneri i "Blues" në fakt e ka marrë keq barazimin me qipriotit e Apoel Nikosia në Grupin D: "Është paraqitja më e shëmtuar që kur kam ardhur, u shpreh Karleto, kemi luajtur 90 minuta pa intensitet e pa përqendrim dhe kemi qenë të ngadaltë e të butë". Çelsi, tashmë i kualifikuar dhe i sigurt për kreun e grupit, e ka përballuar ndeshjen e fundit të fazës në grupe me një sjellje të pamjaftueshme, e cila nuk është përtypur aspak nga Ançeloti: "Nuk ishte shumë i rëndësishëm rezultati, por duhet të luanim në maksimumin e mundësive tona. Këtë u kam kërkuar lojtarëve të mi. Kemi pasur mundësitë për të mbyllur ndeshjen, reagon Ançeloti, por nuk e kemi bërë dhe Apoel mundi të na barazonte". Një natë për t‘u harruar, pasi përveç paraqitjes së dobët erdhi edhe dëmtimi i Majkëll Esien: ganezi, pasi ka shënuar golin e barazimit 1-1, është dëmtuar për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë, duke i lënë vendin Frenk Lamardit. Është gati e sigurt mungesa e tij për ndeshjen me Evertonin. I vetmi ngushëllim është debutimi i të riut Gael Kakuta, 18 vjeç, lojtarit më të kontestuar për mënyrën e blerjes së tij, që shkaktoi bllokimin e merkatos së klubit anglez: "Është lajmi i vetëm i mirë i mbrëmjes, pohon Ançeloti. Kakuta ka demonstruar talentin e tij, mendoj se do të jetë e ardhmja e Çelsit". Megjithatë, për Kakuta ndeshja kundër Apoelit do të jetë një sfidë historike.