Gjermania lartëson Bajernin: Ndeshja më e madhe në histori
Shtypi gjerman e celebron fitoren e Bajernit të Mynihut ndaj Juventusit. "Triumfi 4-1! Fitorja më e madhe e Van Galit", e titullonte faqen e parë tabloidi "Bild Zeitung". Pikërisht trajneri holandez kishte qenë në ditët e kaluara shënjestra e preferuar për kritikët e futbollit gjerman: ai ishte shpallur fajtor, pasi i kishte shpenzuar klubit bavarez plot 77 milionë euro pa mundur t‘i japë skuadrës një mënyrë të mirë loje. Van Gal kundër Juventusit po luante qëndrimin e tij në pankinën e gjigantëve të futbollit gjerman, skuadrës rekordmene për sa u përket titujve të fituar në këtë kampionat. "Triumfuam në Torino. Bajerni, lexohej më pas në gazetën ‘Bild‘, u tregua shumë kurajoz dhe superior që nga fillimi i ndeshjes më të rëndësishme të vitit 2009". E përditshmja tjetër "Berliner Zeitung" flet për "kurbanin e parë" dhe për një "mbrëmje historike". "Agresivë, me shumë grinte dhe të paepur": kështu shkruante dje në mëngjes "Spiegel" "online", e cila përshkruante Van Bomelin me shokë. "Shenja e çlirimit të Bajernit", titullonte e përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (Faz), ndërsa "Tagesspiegel" kishte për titull kryesor "Bajerni më i mirë". "Ishte një natë historike", komentonte gazeta berlineze. "Lojtarët e Bajernit kanë luajtur të sigurt në vetvete, që kishte qenë normale në të kaluarën, por që kohët e fundit e kishin humbur, ishte vëzhgimi i ‘Tagesspiegel‘. Juve në një mënyrë të papritur ka lënë shumë hapësira dhe gjermanët kanë ditur "t‘i shfrytëzojnë në maksimum", nënvizonte gazeta.