Barbaria që vjen

Ana Manjani ne filmin "Mama Roma"
Pier Paolo PASOLINI
Në ditët e sotme, në këto kohë kur austerity është në rend të ditës, të shumtë janë ata që ankohen për problemet që vijnë nga mungesa (larg qendrës së kalbur) e një organizimi të jetës shoqërore dhe kulturore në lagjet periferike me vlera të shëndosha (në fakt, fjetore pa gjelbërim, pa shërbime, pa autonomi, pa asnjë raport përnjëmend njerëzor). Retorikë boshe! Nëse do të ekzistonte ajo për mungesën e së cilës shprehen ankimet, atë prapë qendra do ta kishte organizuar; po ajo qendër që, në sa pak vjet, arriti të shkatërrojë të tëra kulturat periferike, të cilat -- deri vetëm pak vite më parë -- bënin ende të mundur ekzistencën e një jete ndryshe, një jete, në thelb, të lirë, edhe në lagjet periferike më të varfra, madje edhe në ato më mjeranet.
Asnjë centralizëm fashist nuk arriti të realizojë atë që po arrin centralizmi i shoqërisë së konsumit. Fashizmi vërtet propozonte një model, sa reaksionar aq dhe monumental, por model që mbetej i ngrirë dhe pa jetë. Kështu që kulturat e ndryshme të veçanta (fshatare, nën-proletare, punëtore) mund të vijonin, të patrazuara, të identifikoheshin me modelet e tyre të përhershme, sepse represioni mjaftohej vetëm me pajtimin e tyre në fjalë. Kurse sot, përkundrazi, pajtimi me modelet e imponuara nga qendra është total dhe pa kushte. Modeleve te vërteta kulturore u kthehet shpina dhe mohimi i tyre është i plotë. Mund të themi pa drojë pra, se toleranca e ideologjisë hedoniste që ushqen pushteti i ri është në fakt represioni më i egër i historisë njerëzore. Por, si arriti të ushtrohej një represion i tillë? Nëpërmjet dy revolucionesh që zunë vend secili brenda kuadrit të organizimit borgjez: revolucioni i infrastrukturave dhe ai i sistemit të informacionit. Rrugët, motorizimi etj., i afruan, madje bashkuan tashmë periferitë me qendrën, duke fshirë çdo distancë materiale. Por revolucioni i mass mediave ishte akoma me radikal dhe vendimtar. Saje televizionit, qendra e përpiu tërë vendin, i cili kishte qenë deri atëherë tepër i pasur në dallime dhe kultura origjinale. Nisi kështu një vepër e madhe normalizimi të mirëfilltë, e cila siç e thashë imponoi kudo modelet e veta: modele të ushqyera dhe të nxitura nga klasa e re industriale, e cila smund të mjaftohet më vetëm me ekzistencën e njeriut konsumator, por pretendon për më tepër se asnjë ideologji tjetër veç asaj të konsumit nuk është e pranueshme. Kemi të bëjmë me një hedonizëm neolaik, një lloj verbimi absolut ndaj çdo vlere humaniste dhe verbim i huaj ndaj shkencave të njeriut.
Siç dihet, ideologjia që ushqente dhe impononte pushteti i mëparshëm ishte feja: dhe në fakt, katolicizmi ishte formalisht i vetmi fenomen kulturor ku bashkoheshin të gjithë italianët. Sot, katolicizmi është bërë konkurrent i fenomenit të ri kulturor përbashkues, që është hedonizmi në nivel mase; duke qenë kështu, për sa konkurrent, pushteti i ri ka nisur tashmë, çprej disa vitesh, ta likujdojë. Dhe në fakt, asgjë fetare nuk gjen dot te modeli i djalit dhe vajzës së re që propozon dhe imponon televizioni. Të dyja modelet duket se e ndërtojnë dhe përqendrojnë vlerën e jetës vetëm përmes të mirave të konsumit (dhe, sigurisht, vazhdojnë të shkojnë në meshë të dielave: me makinë amà). Italianët e përqafuan me entuziazëm të madh modelin e ri që u imponoi televizioni, në përputhje me ato norma të prodhimit që sigurojnë mirëqenien (ose, më saktë, që të shpëtojnë nga mjerimi). E pranuan modelin, vërtet, por a janë të aftë të realizojnë atë si të tillë?
Jo. Ose e realizojnë atë pjesërisht nga pikëpamja materiale, duke u bërë kështu karikaturë e tij, ose arrijnë ta realizojnë vetëm në një masë aq të pamjaftueshme sa bëhen viktima të tij. Frustrimet ose dëshirat mirëfilli nevrotike janë bërë sot gjendje shpirtërore kolektive. Le të marrim një shembull: deri këto kohët e fundit, nën-proletarët e respektonin kulturën dhe njëherazi nuk kishin turp nga padija e tyre; përkundrazi, ishin krenarë për modelin e tyre popullor të analfabetit që arrin gjithsesi, me mënyrën e vet të veçantë, të kapë misteret e realitetit. Dhe çunat e llastuar, gjalpushët apo mikro-borgjezët i shihnin me një përbuzje kryelartë, duke e dalluar dukshëm veten prej tyre, edhe kur u duhej tu shërbenin. Kurse sot, përkundrazi, nën-proletarët kanë filluar ta përjetojnë padijen e tyre si diçka të turpshme: i kanë kthyer shpinën modelit të tyre kulturor (madje, më të rinjve as që u kujtohet, kanë humbur çdo kontakt me të), ndërkohë që modeli i ri që duan të imitojnë nuk parashikon as analfabetizmin, as vrazhdësinë. Rinia nën-proletare -- e poshtëruar tashmë -- e fsheh me trup emrin e zanatit të vet në letërnjoftime, dhe e zëvendëson atë me cilësimin kinse të fisëm student. Dhe natyrisht, që nga çasti që nisën të ndiejnë turp për padijen e tyre, nisën po ashtu të përçmojnë edhe kulturën (karakteristikë mikro-borgjeze kjo, të cilën e mveshën menjëherë si pasojë e mimetizmit). Në të njëjtën kohë, i riu mikro-borgjez, teksa dëshiron të njësohet me modelin televiziv model i krijuar dhe ushqyer nga klasa e vet, e pra i natyrshëm për të nis të shfaqet çuditërisht i vrazhdë dhe i palumtur. Nëse nga njëra anë nën-proletarët u borgjezuan, borgjezët ndërkohë u nën-proletarizuan. Kultura që ata prodhojnë, duke qenë kulturë thjesht teknike dhe rigorozisht pragmatike, e pengon të zhvillohet njeriun e vjetër që gjallon ende në ta, duke e atrofizuar krejtësisht atë. Kjo shpjegon edhe atë deformim të fakulteteve intelektuale e morale që vihet re rëndom ndër ta.
Përgjegjësia e televizionit në tërë këtë proces është e pamasë, dhe kjo jo ngaqë është mjet teknik, po ngaqë është instrument pushteti dhe madje vetë ai pushtet. Sepse televizioni nuk është thjesht një vend apo kanal për qarkullimin e mesazheve, por është para së gjithash qendër e përpunimit të mesazheve. Televizioni është vendi i konkretizimit të një mentaliteti që, pa të, nuk do të mund të dinte ku të vendosej. Fryma e pushteti të ri e gjen shfaqjen e saj konkrete te fryma e televizionit.
Ska dyshim (siç e vërtetojnë rezultatet) se televizioni është instrument autoritar dhe represiv me i efektshëm se çdo lloj mjeti tjetër informacioni më parë në botë. Krahasuar me të, gazetat fashiste dhe mbishkrimet e parullave musoliniane në muret e fermave të janë qesharake : ashtu siç është (dhimbshëm) e tillë qerrja përballë traktorit. E përsëris: fashizmi, në thelb, nuk arriti as ta gërvishtë në sipërfaqe shpirtin e popullit italian, ndërkohë që fashizmi i ri, dhe falë kryesisht mjeteve të informacionit dhe komunikimit (para së gjithash televizionit, pikërisht), jo vetëm që e ka gërvishtur, por e ka çjerrë, plagosur, dhunuar dhe fëlliqur për jetë të jetëve
Dhjetor 1973. Përktheu Orgest AZIZI
Britma në mungesë të Pasolinit
Orgest AZIZI
Askush sdo të duhej të heshtte, ose së paku askush sdo të duhej të mund të strukej në sdi çfarë lloj rehatie intelektuale, estetike apo politike, për sa kohë që vazhdon (dhe do të vazhdojë), si pjellë e ndonjë organizimi të fshehtë, mungesa e çuditshme, revoltuese dhe e hatashme e Pasolinit në mjedisin shqiptar. Ndërkohë që shqiptarët, të rinj ose jo, krenohen me intimitetin që mendojnë se kanë me gjuhën dhe kulturën italiane (intimitet ndoshta i rremë, dhe të mos harrojmë se, në një masë të mirë, vjen i filtruar nga televizioni i të dyja brigjeve); ndërkohë që emisioni më i ndjekur i televizioneve shqiptare është kopje e vetëshpallur dhe pa komplekse e atit të vet italian (përbrendësim deri