Barça, Ibrahimoviç është shndërruar në një të huaj
“është çështje lidhjeje”, ka deklaruar Pep Guardiola në momentin kur vendosi të largonte Samuel Eto’o nga Barcelona, pavarësisht se kamerunasi i kishte “dhuruar” 30 gola në kampionat dhe një finale të Champions League. Te “blaugranat” rihapet tema e lidhjes, e cila hap debate sa herë që diskutohet emri i Zlatan Ibrahimoviç. Kjo pavarësisht faktit se suedezi ka realizuar 21 gola në 40 ndeshje. Një konfirmim se te Barça vetëm golat apo fitoret nuk mjaftojnë, rëndësi ka mënyra sesi arrihen sukseset. Ibra është një lojtar i talentuar, i cili i ka kushtuar mjaft klubit, e që momentalisht duket ende një “trup i huaj” te katalanët. Ish-sulmuesi i Interit ende nuk është përshtatur me fizionominë e lojës ofensive të skuadrës, ku ndodhet i rrethuar nga talente si Mesi, Pedro, Bojan, Ksavi e Iniesta. “El Mundo Deportivo”, në tri faqet e para të gazetës që hodhi dje në treg, kishte përdorur tri tituj që mund t’i shkaktojnë dhembje koke lojtarit: “Pep beson te Bojan”, “Bojan fiton vendin në formacion” dhe “Momenti më i dobët i Ibras”. Ndërkohë, në një sondazh te “Sport”, 87 për qind e tifozëve janë shprehur se duhet të luajë Bojan Krkiç, i cili ka realizuar 6 gola në 8 ndeshjet e fundit. Për Ibrahimoviç, situata rrezikon të komplikohet më tepër nëse Barça blen David Vijën.
#