E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça vlen 514 mln euro në merkato

Studimi
Mesi është lojtari më i kushtueshëm, ndërsa Premiershipi kampionati më i pasur

Barcelona fiton kudo dhe nuk duket çudi që klubi, i cili fitoi gjashtë trofe në vitin 2009, ka edhe skuadrën që vlen më shumë në merkato. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga faqja e specializuar gjermane, “transfermarkt.de”: aty është përllogaritur vlera që futbollistët e ekipeve europiane kanë në merkato. Në përfundim, doli se 21 lojtarët që stërviten nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola, kushtojnë më tepër se të gjithë të tjerët. Vlera e tyre është plot 514 milionë euro. Në këtë shifër nuk janë përfshirë klauzolat e “llahtarshme” për prishjen e kontratave të përcaktuara nga klubet e La Ligas.
Gjermanët mundohen të përllogarisin sa mund të kushtojë një lojtar në merkato: kriteret e përdorura lënë hapësira për diskutime, megjithatë, në thelb, koncepti është mjaft serioz. Lionel Mesi vlerësohet 80 milionë euro, një çmim që ndoshta është më i ulët se vlera e tij reale. Ndërsa Kristiano Ronaldo, për të cilin Reali i Madridit pagoi gjatë verës plot 94 milionë euro, sipas “Transfermarkt” vlen “vetëm” 75 milionë euro. çmimi i vendosur për Samuel Eto’o, futbollisti më i paguar i Interit në Serinë A, është 40 milionë euro, ndërkohë që zikaltërit paguan vetëm 15 milionë euro për shërbimet e tij në shkëmbimin me Ibrahimoviç.
Duke u bazuar te këto kritere, Premier League është kampionati me vlerën më të madhe, plot 3.2 miliardë euro. Elita e futbollit britanik ndiqet nga La Liga spanjolle (2.6 miliardë euro), Seria A italiane (2.4), Bundesliga gjermane (1.6) dhe nga Liga 1 franceze (1.5). Kampionati anglez ka gjashtë skuadra, vlera e së cilave e kalon shifrën 200 milionë euro: çelsi, Mançester Junajtid, Liverpul, Arsenal, Mançester Siti dhe Totenhem, kundër 4 spanjolleve (Barça, Real, Valencia e Sevilja) dhe 5 italianeve (Inter, Juventus, Milan, Roma dhe Fiorentina). Por, në klasifikimin e klubeve, në dy vendet e para janë Barcelona e Real Madridi, përkatësisht me 514 dhe 473 milionë euro. Pas tyre vijnë çelsi (436), Mançester Junajtid (374), Interi (360), Liverpuli (321), Arsenali (304), Juventusi (266), Milani (251) e Bajerni i Mynihut (239).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›