Edgar Cani-Padova, replikat ndezin sfidën
Seria B
Menjëherë pas largimit nga Padova drejt Piaçencës, ku debutoi me dygolësh, Edgar Cani nuk i kurseu “shigjetimet” për ish-skuadrën e tij. Edhe pse cilësohej një lojtar me potencial të padiskutueshëm dhe një prej të rinjve më të talentuar që militojnë në kampionatin italian, aventura e tij në klubin verior ishte zhgënjyese. Në prag të ndeshjes së fundjavës, ku tashmë do të zbresë në fushë si kundërshtar i Padovas, sulmuesi shqiptar deklaroi: “Vetëm ish-shokët e mi e dinë përse nuk shënoja tek ajo skuadër”. Fjalë që kanë nxitur reagimet e bardhekuqve, duke “nxehur” sfidën në distancë. “I lexova fjalët e Edgarit, por nuk dua të debatoj për këto gjëra, tha portieri Aljardi. Dua vetëm fitoren. Tashmë do të jemi kundërshtarë dhe duhet të kemi kujdes nga të gjithë sulmuesit”. Rreth polemikave të Canit foli edhe mbrojtësi Renxeti: “Kemi pasur marrëdhënie të mira me të, por mendoj se aventura e Canit te Padova nuk ka qenë e mirë. Gjithsesi më bëhet qejfi që ‘Edi’ debutoi me dy gola te Piaçenca, e meritonte”. I fundit foli Sezar: “Edgari kishte kualitet dhe kjo dukej qartë. Ai është i fortë fizikisht dhe e mbron mirë topin. Ende nuk arrij t’i shpjegoj fjalët që tha, kishim marrëdhënie të shkëlqyera. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të ankohej se nuk luante apo se nuk shënonte”.
#