Besa, në Vlorë për të hapur virtualisht garën e titullit
Superiore
Verdhezinjtë sot përballë Flamurtarit, për takimin e përsëritur të javës së 18
Flamurtari dhe Besa do të ndeshen sot në Vlorë, për takimin e javës së 18. Me tri pikë në këtë përballje, verdhezinjtë e drejtuar nga Shpëtim Duro do të ngushtojnë edhe më shumë diferencën nga Dinamo kryesuese, duke qëndruar ende në garën për titull. Ndeshja e luajtur një herë më 24 janar është shoqëruar nga ngjarje të paprecedenta, të cilat e kanë shfaqur edhe një herë futbollin shqiptar si qesharak në sytë e së gjithë botës. Në sekondat shtesë të pjesës së parë, loja u ndërpre për afro 15 minuta, ku të dyja skuadrat kanë kontestuar fuqishëm vendimet e gjyqtarit Remzi Sadiku. Të parët që kontestuan ishin kavajasit, të cilët pretendonin prekje të topit me dorë në zonën e Flamurtarit, ndërsa arbitri akordoi vetëm penallti. Pas konsultimit me asistentin, “bilbili” ndryshoi vendimin, duke drejtuar dorën nga pika e penalltisë. Këtu kanë hyrë në lojë drejtuesit më të lartë të skuadrës vlonjate: presidenti Shpëtim Gjika, njëkohësisht edhe kryebashkiak i qytetit bregdetar, ka zbritur nga tribuna VIP dhe së bashku me shefin e klubit, Geri çipi kanë debatuar gjatë me “xhaketat e zeza”. Nën presionin e ushtruar, gjyqtari Sadiku ka ndërruar përsëri vendim, duke anuluar penalltinë dhe akorduar vetëm goditje këndi. Pas akuzash dhe kundërakuzash, pretendimeve për fitore në tavolinë nga drejtuesit e Besës dhe thirrjeve publike që Flamurtari të mos penalizohej nga ana e krerëve vlonjatë, ka ardhur edhe vendimi i diskutueshëm i Disiplinës. Komisioni nuk mori asnjë masë konkrete për rezultatin e ndeshjes (fitore për vendasit ose 3 pikë në tavolinë për miqtë), por pranoi konsensusin ndërmjet palëve, për të luajtur edhe një herë.Tashmë skuadrat do të zbresin në fushë me objektivin për të marrë pikët e plota dhe në pozita relativisht më të mira nga sfida e dhjetë ditëve më parë, të paktën për sa i takon kontingjentit. Besa është përforcuar me afrimin e fantazistit Blendi Shkëmbi, ndërsa vlonjatët i kanë shpresat te kualiteti i ish-sulmuesit të Tiranës, Migen Memelli. Flamurtari e ka të qartë se fitorja vlen shumë në garën për mbijetesë dhe do t’i ngjiste në vendin e 10-të në klasifikim (përpara Gramozit falë golavarazhit më të mirë). Por, fitorja me të besuarit e Duros nuk është një mision i lehtë: kjo jo vetëm prej forcës së skuadrës verdhezi, por edhe për faktin se kavajasit kanë shansin që të ngushtojnë në 9 pikë diferencën me Dinamon e vendit të parë. Tri pikët në Vlorë do të bënin që kampionati të hapej virtualisht, e ndjekësit të prisnin hapat fals të bluve. Kundër Flamurtarit do të mungojë sulmuesi Daniel Xhafaj (i pezulluar), ndërsa vendin e tij në sulm përkrah Sinanit do ta marrë talenti 19-vjeçar, Sokol Cikalleshi.
#