E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça në finale Reali nuk bën dot mrekullinë

TIRANE-Barcelona është mjaftuar me një barazim 1-1 mbrëmë në "Kamp Nou", duke arritur kështu në finalen e Champions League. Skuadra e Pep Guardiolës ka preferuar të mos rrezikojë përballë një Reali agresiv, duke marrë një rezultat që i jep asaj të drejtën për të luajtur në "Uembli" më 28 maj. Ndeshja e mbrëmshme është dominuar si zakonisht nga katalanasit, ndërkohë që madrilenët ndryshe nga një javë më parë, kanë shikuar më shumë drejt sulmit. Një shenjë e tillë u dha që në fillim, kur trajneri Zhoze Murinjo kishte hedhur në fushë një skuadër me Kaka, Ronaldo e Higuain.
Por, Barça ka qenë edhe këtë herë superiore, duke përfituar edhe nga hapësirat e lëna nga miqtë. Në pjesën e parë, Mesi e Vija kanë humbur disa mundësi të mira për të shënuar, ndërkohë që në të dytën, ishte Pedro Rodrigez që shënoi i pari, falë asistit të mrekullueshëm të Iniestës. Por, Reali barazoi shumë shpejt me anë të Marselos, falë një gabimi të mbrojtjes katalanase. Për 30 minuta, Barcelona ka administruar e qetë rezultatin, ndërsa madrilenët e kanë patur të pamundur të bëjnë diçka. Humbja 0-2 në "Bernabu" ka peshuar shumë mbi skuadrën e Murinjos. Ndërkohë, sot në mbrëmje do të luhet gjysmëfinalja e dytë, ajo mes Mançester Junajtid dhe Shalkes.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›