E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona prek finalen

Barcelona e ka konfirmuar dominimin ndaj Real Madridit edhe në Evropë. Katalunasit e kanë administruar mjaft mirë kapitalin e krijuar nga ndeshja e parë, duke u kënaqur me një barazim 1:1 në Camp Nou, i cili i qoi në finalen e Wembleyt. Goli i Marcelos ishte i vonshëm dhe i pamjaftueshëm për madrilenët, pasi më parë shënonte Pedro për vendësit. Nga Express më 03 maj 2011 në ora 22:53

Barcelona është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve. Katalunasit e kanë eliminuar në gjysmëfinale Real Madridin, pasi ishin më të mirë pas dy ndeshjesh.

Ekipi i Pep Guardiolës e ka administruar mjaft mirë në Camp Nou kapitalin prej dy golash që e kishte krijuar nga ndeshja e parë, duke barazuar në atë të dytë 1:1 dhe duke arritur të kualifikohet në finalen e Wembleyt.

Vendësit kanë qenë më të mirë në pjesën e parë duke krijuar disa raste. Busquets së pari goditi me kokë, e më pas Messi pati dy mundësi dhe Villa një, por portieri Iker Casillas ishte në nivel, duke i spastruar me sukses këto situata.

Pjesa e dytë ishte e nivelizuar. Madrilenët, të vetëdijshëm se nuk kanë se çka të humbin, u hodhën në sulm dhe ishin më këmbëngulës dhe më kërkues.

Gonzalo Higuain shënoi në fillim të 45 minutëshit të dytë, por gjyqtari e anuloi këtë gol pasi Ronaldo më parë kishte shkaktuar faull. Pedro në minutën e 54-t shënoi për katalunasit pas një pasimi fantastik të Iniestas, pas një kundërsulmi të Barcelonës.

Mysafirët e barazuan rezultatin 10 minuta më vonë. Pas një gabimi të Pedros, Angel Di Maria u nis në drejtim të portës kundërshtare dhe goditi shtyllën. Topin e kthyer tek ai, e shërben për Marcelon, i cili nga afërsia nuk dështoi, 1:1.

‘Merengues’ kishin nevojë edhe për dy gola, për të shkuar në finale dhe për këtë vazhduan sulmet e tyre, por nuk ishin sa duhet të rrezikshëm para portës së Victor Valdes.

Marrë në përgjithësi, Barcelona e meritoi plotësisht finalen, ndërsa Reali (i cili nuk u udhëhoq nga Jose Mourinho, i skuqur nga ndeshja e parë) dha gjithçka nga vetja por nuk arriti ta kthejë rezultatin e ndeshjes së parë.

Kështu, Barcelona e pret në finalen e Wembleyt, e cila do të zhvillohet më 28 maj, fituesin ndërmjet Manchester United dhe Schalke, me gjigantin anglez favorit nga kjo përballje.

Liga e Kampionëve

Gjysmëfinalja
Barcelona – Real Madrid 1:1 (2:0)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›