Vendimi, FSHF rrëzonkërkesën e Flamurtaritpër 3 pikët në tavolinë
TIRANË- Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur poshtë kërkesën e bërë nga klubi Flamurtari për fitoren në tavolinë në ndeshjen me Laçin. Komisioni i Disiplinës, në mbledhjen e mbajtur ditën e sotme, ka vendosur vetëm dënimin e fushës së Laçit me dy ndeshje pa tifozë dhe me gjobitjen e këtij klubi me 500 mijë lekë për hedhjen e fishekzjarreve dhe sendeve të forta në fushë. Në vendimin e tij, Komisioni i Disiplinës argumenton se nga hetimi i kryer, ka rezultuar që në drejtim të portierit Shpëtim Moçka ka patur hedhje të fishekzjarreve, por që nuk kanë shkaktuar dëme të atilla që të mund të vinin në rrezik shëndetin e lojtarit apo shkaqe për ndërprerjen e ndeshjes. Komisioni thotë se veprimi i tifozerisë laçiane është i dënueshëm, por ai nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe as në vijimin e mëtejshëm të saj pas ndërprerjes, kështu që nuk janë ekstremet e parashikuara nga Kodi i Disiplinës Sportive për dhënien e tre pikëve në tavolinë. Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë bërë të ditur se anëtarët e Disiplinorit kanë qenë të përçarë në marrjen e vendimit. Kryetari i tij Eno Bushi ka qenë pro dhënies së 3 pikëve në tavolinë, ndërkohë që dy anëtarët Ramazan Rragami dhe Saimir Dauti, kundër. Vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës do të thotë që Skënderbeu i Korçës është praktikisht kampion i vendit, pasi kjo skuadër do të presë ditën e mërkurë Elbasanin e vendit të fundit dhe i mjafton kjo fitore për të marrë trofeu. Në letër, as që diskutohet se elbasanllinjtë mund t’u hapin probleme korçarëve, të cilët ndodhen 4 pikë para Flamurtarit kur mbeten edhe dy ndeshje deri në fund. Ndërkohë, të kontaktuar me telefon, drejtuesit e klubit vlonjat kanë bërë të ditur se do ta apelojnë vendimin, ndërkohë që janë duke përgatitur dosjen për në UEFA, duke shpresuar që ajo t’i marrë parasysh kërkesat e tyre, jo vetëm për ndeshjen me Laçin, por edhe për atë me Shkumbinin 20 ditë më parë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)