Adrian Aliaj kërkon ekip për Kranjcarin

Mesfushori kroat Niko Kranjcar kërkohet nga gjigantët italianë, Juventus, Roma e Lazio.
Lajmin e ka bërë të ditur menaxheri i 26 vjeçarit, Adrian Aliaj, ish reprezentuesi i Shqipërisë.
“Niko nuk është i lumtur me situatën në Tottenham për momentin. Ai dëshiron të luajë. Është turp që një lojtar me kualitetet e Nikos përfundon në bankinë. Ai është i lidhur me klubin dhe ka kontratë, por është një moment i vështirë për të”, tha Aliaj për tabloidin britanik The Sun.
“Niko ka nevojë për të luajtur. Disa klube italiane janë të interesuara për të. Juventus, Roma e Lazio, këto e kërkojnë, por ka oferta edhe nga Spanja e Gjermania”, përfundoi Aliaj i cili paralajmëroi se do të takohet me udhëheqësit e Tottenhamit brenda 7-10 ditësh për ta diskutuar të ardhmen e përfaqësuesit kroat.