E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona-Real, Rosell bën thirrje për të ulur tensionin

BARCELONË- Duhet të zbusim gjakrat, sepse kështu do të përfundojmë duke u vrarë në mes të rrugës. Presidenti i Barcelonës Sandro Rosell ka bërë thirrje për ulje të tensionit mes klubit katalanas dhe Realit të Madridit, që arriti kulmin në ndeshjen e Superkupës të mërkurën e shkuar.

Sherri i plasur në fund të takimit, me Murinjon që shkoi deri aty, sa i futi gishtin në sy ndihmës trajnerit të Barcelonës Tito Vilanova, ka bërë që atmosfera mes dy kampeve të jetë më e tensionuar se kurrë.

“Nëse nuk bëjmë apel për qetësi e mirëkuptim, atëherë rrezikojmë të vritemi me njëri-tjetrin në mes të rrugës, - ka deklaruar Rosell. – Vilanova është i pari që nuk dëshiron që ndaj Murinjos të nisë hetim, por pas ndeshjes dikush hodhi një gur kundër autobusit tonë dhe një fëmijë që ishte duke udhëtuar me ne, mbeti i plagosur. Ka diçka që nuk shkon, të gjithë së bashku duhet të ulim tensionin”, shtoi ai.

Ndërkohë, ish-presidenti i Barçës Joan Laporta, i ka kërkuar klubit që të kërkojë me forcë ndëshkimin e Realit. Por, për Rosell kjo nuk është rruga e duhur. “Nëse dëshironi një presidencë prepotente dhe llafazane, atëherë kërkojeni diku tjetër. Ne nuk jemi të tillë”, deklaroi presidenti i Barçës. Fjalët e Rosell vijnë vetëm pak orë pasi zëdhënësi i Zhoze Murinjos Eladio Parames, pati deklaruar se portugezi nuk ka pse të kërkojë falje për gjestin e tij në “Kamp Nou”. “Ai është duke mbrojtur Realin e Madridit”, tha Parames.

Tensioni mes Realit e Barcelonës duket se ka ndikuar jo pak edhe në atmosferën në kombëtaren spanjolle, ku lojtarët kryesorë luajnë pikërisht me këto dy klube. Pak ditë më parë, kapiteni madrilen Iker Kasijas i telefonoi atij të Barcelonës Ksavi Hernandez, por ky i fundit nuk pranoi t’i fliste. Më pas, ai zhvilloi një bisedë telefonike me Karles Pujol, duke u munduar të zbusë situatën e krijuar.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›