E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona dhe Reali i Madridit do te kene mungesa te rendesishme

Një tjetër yll i rëndësishëm do të mungojë në konstelacionin më të shkëlqyer të futbollit botëror. Sesk Fabregas nuk do të jetë sonte në fushë për Barcelonën në fushën e Gihonit, në kampionatin spanjoll, pasi pësoi një dëmtim që do ta mbajë 3 javë të paktën jashtë fushave të futbollit. Një humbje e rëndësishme për trajnerin Pep Guardiola.

“Skuadra humbet mjaft nga forca e saj sa herë që dëmtohet ndonjë nga lojtarët. Kështu ndodhi me Aleksis, një lojtar që u përshtat shumë mirë dhe bën gjëra që nuk i bëjnë të tjerët. Kështu ndodhi kur nuk luajti Andres Inisesta, por për fat ne kemi edhe Afelain që di të bëjë shumë gjëra. Përderisa kemi të bëjmë me futboll, lojtarët dëmtohen. Sidomos në mesfushë, aty ku kërkohet më shumë”.

Veçse, probleme ka edhe Zhoze Murinjo tek Reali. Kjo pasi Karim Benzema, sulmuesi kryesor i skuadrës, nuk do të luajë dot në ndeshjen e orës 22:00 në fushën e Espanjolit. Madridi po përgatitet pa të, ndërsa skuadra kryeqytetase ka edhe probleme të tjera me dëmtimet si Karvaljon e Pepen. Murinjo flet për Benzemanë, por edhe për kundërshtarin e sotëm.

“Nuk kemi shumë për të thënë. Ai është i dëmtuar dhe ai nuk mund të luajë. Ai ka një dëmtim që do ta pengojë për të luajtur në 2 javët e ardhshme. Për fat, nuk do të kemi shumë ndeshje në këtë periudhë. Përsa i përket Espanjolit, nuk mendoj se ata kanë frikë nga ne. Ata na kanë studiuar, ata kanë një skuadër të fortë, me lojtarë të fortë dhe filozofi të qartë, ndaj do jetë një ndeshje e vështirë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›