E Shtunë, 31 Tetor 2026

Endri Dalipi nderon Elbasanin ndaj Gramozit

Elbasani Gramozi           2-0

Shënues: Dalipi, 16,  42
Elbasani: Ruçi, Bella, Sekseni, Kacollja (Dosti 20), Ibrahimi, Merxha, Hila, Musta (Halilaj 39), Olatunji (Tafani 63), Dalipi, Galica: Trajner: I. File.
Gramozi: Dervishi, Fasko, Shehu, Peçi (Mydini 71), Kodra (Camaj 11), Shupe, Bilibashi, Saliko, Musabelli, Nelaj (Kita 65) Hysolli: Trajner: I.Qirjako.
Gjyqtarë: K. Cjapi, D. Grabova (Fier), E. Prifti (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Musta, Shehu

Endri Dalipi, me golat e shënuar që në pjesën e parë, i ka dhënë fitoren e dytë Elbasanit në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Ishte një fitore e merituar, 2-0, pasi verdheblutë kanë dominura dhe me këtë 3-pikësh rregullojnë disi pozicionin në tabelë, pas humbjes në Lezhë. Nga ana tjetër, Gramozi ka pësuar humbjen e dytë radhazi jashtë fushe, duke treguar se e ka të vështirë të jetë pretendent.

Rezultati zhbllokohet pas 16 minutash lojë, ndërkohë që më parë trajneri Ilir Qirjako është detyruar të bëjë një zëvendësim, duke hedhur në fushë Camajn në vend të Kodrës. Pas rasteve të humbura nga Galica dhe Olatunji, mesfushori Endri Dalipi shënon një gol mjaft të bukur me kokë, duke i dhënë avantazhin Elbasanit. Me kalimin e minutave ritmi i lojës bie dhe miqtë mundohen të reagojnë, por sulmet e tyre ndalen nga mbrojtja vendëse. Në minutën e 20-të edhe trajneri File bën një zëvendësim të detyruar. Kacollja i dëmtuar i lë vendin të riut Dosti. Dhe kur miqtë janë në momentin e tyre më të mirë, pikërisht 3 minuta para përfundimit të pjesës së parë, Elbasani shënon edhe golin e dytë, pas një kundërsulmi të finalizuar përsëri nga Dalipi. Krosi vjen nga Halilaj, i cili ka zëvendësuar Mustën e dëmtuar. Elbasanasit shkojnë të qetë në dhomat e zhveshjes dhe në pjesën e dytë luajnë disi më të tërhequr, duke u përpjekur të administrojnë rezultatin. Kolonjarët nga ana e tyre mundohen ta ngushtojnë rezultatin, por mbrojtja verdheblu është në një ditë mjaft të mirë, me në krye portierin Ruçi, vendimtar në disa dalje. Trajneri File mundohet ta freskojë skuadrën, duke futur në lojë Tafanin për Olatunjin, por më pranë golit janë miqtë. Pas një rrëmuje në zonë, është Sekseni ai që largon topin në momentin e fundit pranë vijës fatale. Në minutat e mbetura nuk ka asgjë të veçantë dhe Elbasani i gëzohet fitores së dytë, që e ngjit në kuotën e 7 pikëve.

Trajnerët
Ilirjan File, trajneri i Elbasanit:
Ishte një ndeshje që e vlerësuam maksimalisht. Për fat të mirë, arritëm të shënonim shpejt. Jam i kënaqur nga loja e djemve. Ishte një fitore që na duhej. Gjithashtu, falënderoj ekipin e Gramozit, që ka zhvilluar një ndeshje mjaft korrekte.
Ilir Qirjako, trajneri i Gramozit: Pësuam një gol të shpejtë dhe më pas ekipi u mundua të reagonte, por pa ia arritur qëllimit. Pjesën e parë e mbyllëm në disavantazh të 2 golave dhe ky fakt ndikoi në lojën tonë në pjesën e dytë. Elbasani e administroi mjaft mirë rezultatin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›