E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laci mundi 2-1 Skenderbeun ne fushen e tij

Nuk kishte si të niste më mirë sesa kaq ndeshja ndaj kampionëve për skuadrën vendase. Duke pasur një gjuajtës të shkëlqyer si Emurllai dhe duke pasur edhe fat, Laçi fitoi goditje dënimi që në minutën e parë dhe shënoi pa kaluar e dyta, në një përballje që pritej të ishte e fortë dhe pa dhënë asnjë siguri për fituesin.

Dhe fati, që e kishte braktisur në Fier, këtë herë ishte me skuadrën kurbinase të trajnerit Nevil Dede në javën e 4-ët të Superligës. Skënderbeu nuk deshi të pajtohej me humbjen dhe tiranasi Kërçiku u bë nxitës për skuadrën e tij. Fillimisht, ai gjuajti, por Vashaku priti pa probleme, ndërsa më pas ai krosoi për Muzakën, por tiranasi tjetër nuk u koordinua si duhet. Ishte një rast I mirë dhe i pashfrytëzuar për të barazuar.

Me të kaluar një orë lojë, Laçi iu afrua golit pas një depërtimi të Marashit, por gjuajtja e tij me të majtën përfundoi jashtë. Më tej erdhi penalltia e fituar nga Dragiçeviç, të cilin Vrapi u përpoq ta ndalonte me të gjitha mënyrat. Nuk ia arriti dhe 11-metërshin e akorduar, e ktheu në gol Selimi me një gjuajtje të saktë në 38’.

Minutat e fundit të pjesës së parë ishin të miqve dhe Kërçiku u përpoq të rrezikonte, veçse Milenkoviç largoi topin dhe më tej Xhafaj gjuajti në zonë, por topi nuk kaloi dot trupin e mbrojtësit.

Pjesa e dytë nxorri në fushë një Skënderbe krejt tjetër, shumë më të vendosur dhe të bindur për të vënë nderin në vend. Sërish ishte Kërçiku që provoi që në fillim dhe iu afrua golit. Në minutën e 51-të, korçarët korrën atë që kishin mbjellë, pra shkurtuan diferencën e golave me një gjuajtje të fortë me të majtën të Shkëmbit nga 18 metra, pas një aksioni vërtet ngulmues. Ishte shpërblimi I përpjekjeve, por Laçi tregoi se karakteri nuk e la në baltë. Vucaj gjuajti pak minuta pas golit, pro Shehi priti dhe më pas erdhi goditja shumë e bukur e traut nga ana e Emurllait, që madje provoi edhe një herë kur topi iu kthye në këmbë. Këtë herë, Shehi priti.

Ndeshja u kthye në një seri goditjesh e kundërgoditjesh kur Xhafaj u vonua dhe nuk rrezikoi dot për Skënderbeun, ndërsa më tej Emurllai gjuajti shumë bukur, por portieri mik e dërgoi topin në goditje nga këndi.

Më tej erdhi momenti më I diskutueshëm I ndeshjes, kur pas një depërtimi të mrekullueshëm të mbrojtësit kroat Bratiç, Muzaka shënoi, por goli u anulua nga Jemini, I gjykua në pozicion jashtë loje.

Minutat e fundit patën lojë të ashpër dhe përpjekje të shumta, me Muzakën e Orelesin që rrezikuan portën e Vashakut, ndërsa laçianët rrezikuan me një aksion të shkëlqyer në krahun tjetër. Trajneri Dede ia dha Emurllait kënaqësinë e daljes nga fusha si triumfator, kur e zëvendësoi në minutën e 90-të, ndërsa koha nuk mjaftoi për gjë tjetër. Thjesht konfirmoi se Skënderbeu do ta ketë të vështirë të mbrojë titullin megjithë cilësinë në skuadër, ndërsa Laçi mbetet sërish I fortë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›