E Diel, 1 Nëntor 2026

Napoli shkaterroi Interin ne San Siro te Milanos me rezultatin 3-0

Nuk është skuadra e Maradonës, por gjithsesi këta me fanelat ngjyrë qielli ishin shumë për t’u përballuar, madje edhe brenda në “San Siro”. Napoli i Macarrit u tregua i tmerrshëm për Napolin e Ranierit, duke i shkaktuar humbjen e parë trajnerit roman, pas dy fitoreve në Bolonjë e Moskë, një 3-0 që flet shumë, ndonëse zikaltërit luajtën gjatë me 10 lojtarë.

Interi, gjithsesi, e nisi më mirë këtë ndeshje të javës së 5-të të Serisë A, nxitur nga dy rezultatet pozitive radhazi dhe Maikon pretendoi që në fillim për penallti, ndërsa më tej, Forlan e Pacini iu afruan golit, por pa mundur ta shënonin atë.

Edhe më tej, në arenën e madhe milaneze kishte më shumë Inter dhe vendasit u duk se shënuan kur Forlan gjuajti, por topi nuk iu bind plotësisht uruguajanit dhe doli jashtë për vetëm pak.

Pas kësaj, Napoli u zgjua dhe ish-interisti Pandev shpërdoroi një mundësi të artë, veçse goli nuk do të vononte.

Atë e solli një 11-metërsh fituar nga Maxho, që u rrëzua pas duelit me Obin. Fillimi i faullit duket jashtë zone, por gjyqtari Roki dha penallti dhe përjashtoi lojtarin vendas për shkak të kartonit të dytë të verdhë.

Zhulio Sesar e grushtoi gjuajtjen e Hamshikut, por Kampanjaro u tregua i shpejtë për ta dërguar në rrjetë atë top të kthyer në lojë.
Miqtë nuk e lëshuan më nga duart kontrollin e lojës dhe shënuan golin e dytë me anë të Maxhos, që u shërbye nga Maskara, ndërsa përfitoi nga gabimi i mbrojtësit Nagatomo.
Stuhia napolitane nuk donte të përfundonte dhe Hamshik shleu gabimin e penalltisë duke realizuar golin e tretë çerek ore para fundit, shërbyer shkëlqyeshëm nga Laveci e duke i shpëtuar pozicionit jashtë loje.
Shumë e fortë skuadra e trajnerit Macarri, që nuk gjen qetësi aty pranë stolit të tij edhe kur skuadra e tij udhëheq bindshëm, ndërsa tifozët napolitanë këndojnë në kryeqendrën e Lombardisë si të ishin në shtëpinë e tyre. Në fund, Pacini provoi të shënonte të paktën një gol për vendasit, por gjuajtja e tij me kokë pas krosimit të Maikonit, përfundoi jashtë.
Për momentin, Napoli kryeson me 10 pikë dhe pret ndeshjet e tjera.
Në përballjen e luajtur në orën 18:00, Roma e Luis Enrikes më në fund nis të bindë. Verdhekuqtë i shkaktuan humbjen e parë në kampionat Atalantës, duke e mundur 3-1 në “Olimpiko” dhe golat u shënuan nga Bojan Krkiç në minutën e 20-të, Osvaldo në minutën e 31-të dhe Fabio Simplisio 9 minuta para përfundimit. Për miqtë nga Bergamo, shkurtoi diferencën në nisje të pjesës së dytë, Herman Denis, lojtar i ardhur nga Napoli.
Me këtë fitore, Roma u ngjit të paktën përkohësisht në vendin e katërt, me 8 pikë pas 5 ndeshjeve dhe tashmë ka hyrë në pretendimet edhe për titullin kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›