E Diel, 1 Nëntor 2026

Ska fitues në Çorovodë, Skrapari bën paqe me Lushnjën

Skrapari Lushnja            0-0

Skrapari: Spiraj, Allbani, Koreshi, Papleka, (Biba 65), Vargu, Pashako (Sulo 87), Greca, Bejleri, Karaj, Hasa, Duro (Beqiri 92). Trajner: E. Dalipi.

Lushnja: Bejte, Mërtiri, Sulo, E. Sula, Bufasi, R. Sula (Ruço 69), Topi, Dervishi, Byzhyti, Allkanjari (Metushi 58), Sefa (Canka 91). Trajner: R. Baballëku.

Gjyqtarë: E. Hoxha, K. Vargu, P. Sinani (Lezhë)

Kartonë të verdhë: Hasa, Vargu, Bufasi, Sefa

Në Çorovodë është zhvilluar dje një takim shumë i fortë mes Skraparit dhe Lushnjës, ashtu siç edhe pritej nga tifozët vendës. Në fund një barazim i thatë, që në fakt nuk ka kënaqur asnjë ekip. Lushnjarët kanë punuar më mirë me topin dhe kanë shtyrë vazhdimisht drejt portës së Spirajt, por pa krijuar ndonjë rast të pastër për gol. Vendësit kanë menduar më shumë për  mbrojtjen, pasi kishin edhe mungesa në sulm. Ata u munduan të shfrytëzonin ndonjë gabim të miqve për ti ndëshkuar, por lushnjarët janë treguar shumë të kujdesshëm. Loja është e barabartë në pjesën e parë dhe vetëm në fundin e saj janë skraparlinjtë që imponohen, duke rrezikuar dy herë me Duron dhe Hasën, por Bejte është i pakalueshëm. Lushnja e bazon lojën e saj te Sefa, i cili mbulohet mirë nga mbrojtja e Skraparit. Rastin më të mirë për Lushnjën e ka pasur Topi, që ka gjuajtur fort një top të kthyer nga mbrojtja, por mbi traversë. Pjesa e dytë fillon me të njëjtin ritëm, ndërkohë që lushnjarët fillojnë të ushtrojnë më shumë presion. Ata i afrohen golit me Renato Sulën, Metushin dhe Byzhytin, por gjuajtjet e tyre janë të pasakta ose topi shkon në duart e portierit Spiraj.

Tension Minuta e 62-të sjell tension në fushë, pas një penalltie të akorduar për Lushnjën. Vendësit kundërshtojnë, ndërkohë që Sefa gabon shënjestrën, duke goditur traun e portës. Më pas Skrapari merr zemër dhe jep gjithçka, por e ka të vështirë ndaj një kundërshtari të fortë si Lushnja.

Gjykimi Duhet thënë se gjykimi i kryesorit Hoxha është kontestuar në disa raste nga vendësit për rastin e penalltisë dhe për disa ndërhyrje të pandëshkuara për Sefën dhe Bufasin e Lushnjës, të cilët ishin në dy raste pranë kartonit të dytë të verdhë. Po ashtu, një ndalim i lojës nga anësori për pozicion të dyshimtë jashtë loje, gjatë një sulmi të shpejtë të Skraparit në pjesën e dytë, solli acarime në tribunë. Ndërhyrja e shpejtë e policisë solli qetësimin e tyre.

Trajnerët

Edmond Dalipi, trajneri i Skraparit: Kishim përballë ekipin e fortë të Lushnjës dhe kërkuam vazhdimisht fitoren, por nuk e arritëm. Kjo erdhi edhe për dobësinë e sulmit tonë, pasi mungesa e Bratës është e vështirë të rikuperohet. Luajtëm përballë më shumë se 11 kundërshtarëve.

Ramadan Baballëku, trajneri i Lushnjës: Kishim ardhur për fitore. Në disa raste ishim shumë pranë saj, por mungesa e përqendrimit na penalizoi. Humbja e penalltisë ishte shpërdorim i tepërt për ne. Për dhënien e saj mendoj se ishte penallti dhe një rast i tillë kudo jepet 11-metërsh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›