Kaka: Milan, më fal, por më duhet të të eliminoj
Nëse shënon nuk do të festojë, por një gjë është e sigurt, do të provojë të realizojë sa më shumë gola që të mundet. Ky është synimi i Kakasë, manifestuar në forumin e të përditshmes "Marca". Sonte do të luajë për herë të parë kundër Milanit. Braziliani thotë: "Është një ndeshje e rëndësishme për mua, është hera e parë që më ndodh të përballem me një ish-skuadrën time dhe shpresoj të jetë një ndeshje e madhe. Nuk do të festoj për respekt të historisë sime dhe për gjithë atë që Milani më ka dhënë, por do të bëjë gjithçka për të realizuar sa më shumë gola që të mundem". Sigurisht që braziliani flet për shokët e tij dhe Berluskonin. Kundërshtari më i frikshëm, sipas tij, sot është Pato. "Është një lojtar i madh, së bashku me Ronaldinjon është kundërshtari më i rrezikshëm", pohon Kaka. Por flet edhe pengesat e Ronaldinjos, që nuk po gjen dot veten Milani si në kohët e Barças: "Ronaldinjo nuk është në momentin e tij më të mirë. Nuk e di se çfarë po i ndodh, e di që punon shumë, por gjërat nuk po i shkojnë siç i dëshiron". Por mbi të gjitha, elozhet e tij janë për brazilianin më të ri: "Pato është një lojtar spektakolar". Për sa u përket presidentëve të tij, Berluskoni e Perez, nënvizon: "Janë dy presidentë të mëdhenj. Kam qenë me Berluskonin për 6 vite dhe për mua ka qenë shumë i rëndësishëm. Më mori nga San Paolo, kur isha një djalosh dhe më ndihmoi të rritesha. Florentino më ndihmon të vazhdoj të përmirësohem". Pastaj fillon të imagjinojë ndeshjen e kthimit në "San Siro". Thotë se nuk ka frikë nga tifozët kuqezinj: "Besoj se pritja që do të rezervojnë do të jetë e mirë, sepse sjellja ime ka qenë e mirë dhe e sinqertë". Konfirmon edhe një herë admirimin e tij të madh për Ronaldon: "Është lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur ndonjëherë". Sigurisht, Reali synon ta fitojë Championsin dhe jeton presionin e një qyteti të madh, të ndarë ekstremisht nga një rivalitet i madh me Barcelonën, që deri tani ka fituar gjithçka. Kaka nënvizon: "Në futboll bluzat janë gjë e rëndësishme dhe një peshë e madhe. Historia është decizive dhe shpesh bën diferencën. Të gjitha skuadrat e mëdha janë të detyruara të fitojnë gjithmonë". Ai do të firmoste për një finale me Barçën në Bernabeu dhe për një tjetër finale në Afrikën e Jugut kundër Spanjës. Nuk arrin të kuptojë kritikat për trajnerin e Realit, Pelegrinin dhe në lidhje me mungesën e Ronaldos, pasi ka nënvizuar se bëhet fjalë për një lojtar fondamental, shton: "Real nuk mund të varet as nga Kristiano, as nga Kaka, as nga Ksavi Alonso". Flet për fitoret e tij dhe thotë: "E paharrueshme ajo e Botërorit 2002. Luajta vetëm gjysmë ore ndaj Kosta Rikës, por isha i ri, luaja ende te San Paolo isha përkrah më të mirëve të botës: Ronaldo, Rivaldo, Ronaldinjo, Edmilson. Më pas erdhën titujt me Milanin, Champions, "Topi i Artë", por kam mësuar shumë nga humbjet. Besoj se jam rritur shumë pas finales së Stambollit". Në muzeun e sportistëve të mëdhenj të të gjitha kohërave deklaron se dëshiron ta vënë përkrah Majkëll Xhordanit. Motivi? "Si sportist është një shembull".