Barcelona-Çelsi, sfidë strategësh Rajkard-Mourinjo

Pas humbjes me rezultat të ngushtë në "Stamford Brifge", Barcelona do të synojë të arrijë fitoren për të qenë në krye të grupit, por dhe të fitojë një ndeshje prestigji me Celsin. Një ndeshje shumë e rëndësishme për katalanasit, të cilët ndodhen me pikë të barabarta me gjermanët e Verder Bremenit, me nga katër pikë. Barcelona është kampionia në fuqi e Europës dhe një rezultat negativ me kampionen e Anglisë mund të rrezikojë shumë pozitat e saj në Grupin A, në një kohë që Bremen do të jetë mysafir në Sofie kundër Levskit, një ndeshje që parashikohet të jetë e lehtë për gjermanët.
Celsi fitoi në Londër pas golit të shkëlqyer të Didier Drogba, që udhëheq dhe listën e golashënuesve me 4 gola. Barcelona duhet të fitojë të paktën me dy gola diferencë nëse formacioni i Frenk Rajkard dëshiron të konsolidojë vendin e dytë. Barcelona, që pësoi humbjen e parë në Ligën e Kampioneve qysh prej marsit të vitit 2005, synon fitoren e tetë rresht në shtëpi, ku nuk ka humbur qysh prej cerekfinaleve të sezonit 2002-2003, kur u mposht nga Juventusi. Barcelona ka disa avantazhe statistikore në raport me Celsin. Në ndeshjet e tyre, Barcelona, në sezonin 2004-2005 doli fituese në shtëpi me rezultatin 2-1: gola të Maksi Lopez dhe Samuel Eto, që përmbysën autogolin e shënuar nga Huliano Beleti. Në ndeshjet e kthimit në Londër Barca humbi 4-2.
Dymbëdhjetë muaj më pas, Barcelona dhe Celsi u ritakuan sërish në fazën me nokaut. Barcelona fitoi ndeshjen e parë në Londër 2-1, falë golit të vonshëm të shënuar nga Samuel Eto, ndërsa në ndeshjen e kthimit në "Kamp Nou" dy ekipet u ndanë në barazim 1-1. Frenk Lampard barazoi me penallti golin e shënuar nga gjuatja e lirë e Ronaldinjos. Celsi, që udhëheq me pikë të plota (9) Grupin A, mund të sigurojë kalimin në fazën e një të tetave në rast se fiton me Barcelonën të martën në mbrëmje.
Barcelona-Celsi do të gjykohet nga një skuadër gjyqtarësh italianë me në krye Stefano Farina. Ndihmës të tij do të jenë Alesandro Grizeli, Xhuzepe De Santis.
BARCELONA
Në total, Barcelona ka qenë e pranishme në pesë finale të Ligës së Kampioneve, duke fituar kompeticionin 1991-1992 (kundër Sampdorias) falë golit të shënuar me gjuajtje të lirë nga Ronald Koeman në minutën e 112. Për herë të dytë fitoi në fushatën 2005-2006, kur mposhti Arsenalin 2-1 me gola të Huliano Beletit dhe Samuel Eto. Barcelona ka humbur 3 finale të tjera: humbi me penallti me Steaua Bukuresht në sezonin 1985-1986, humbi 3-2 me Benfikën në sezonin 1960-1961 dhe 4-0 me Milanin në sezonin 1993-1994.
Trajneri
Frank Rajkard
Data e lindjes: 30 shtator 1962
Kombësia: Holandeze
Karriera si lojtar: Ajaks (dy herë), Sporting, Real Zaragoza, Milan
Karriera si trajner: Holanda, Sparta Rotterdam, Barcelona
Trofetë:
Liga e Kampioneve: 1991-1992, 2005-2006
Kupa UEFA: 1978-1979, 1981-1982, 1988-1989, 1996/-1997
Superkupa e Europës: 1992, 1997
Fakte kyce:
- Deri më sot, Barcelona ka luajtur 104 ndeshje në Ligën e Kampioneve: 56 fitore, 26 barazime dhe 22 humbje. Barcelona ka shënuar 198 gola dhe ka pësuar 118 gola
- Goli i shënuar nga Eto'o kundër Celsit sezonin e kaluar ishte i 300-ti i shënuar në kompeticionet europiane.
- Barcelona në Europë ka luajtur 164 ndeshje, ku ka arritur 92 fitore, 37 barazime dhe 35 humbje, me 312 gola të shënuar dhe 173 të pësuar.
- Javier Saviola është golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampioneve nga skuadra e Barcelonës. Argjentinasi ka shënuar 15 gola, tre më shumë se Samuel Eto'o dhe Ronaldinjo.
CELSI
Megjithëse anglezët janë sot një nga ekipet mw tw mira në Europë, Celsi mund të konsiderohet si një nga skuadrat më të zhgënjyera në kontinent. Rezultatet më të mira të saj në Ligën e Kampioneve janë në fushatën 2003-2004 dhe 2004-2005 kur ata arritën në gjysmëfinale. Celsi ka fituar dy herë Kupën UEFA. Fitorja e tyre (2-1) e parë ishte ndaj Realit të Madridit në sezonin 1970-1971, ndërsa e dyta kur ata mundën në sezonin 1997-1998 ekipin gjerman Shtutgart me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar nga Xhanfranko Zola.
Trajneri
Hoze Mourinjo
Data e lindjes: 26 janar 1963
Kombësia: Portugeze
Karriera si trajner: Benfica, Leiria, Porto, Celsi
Trofetë:
Kupa UEFA: 1970-19171, 1997/98
Superkupa e Europës: 1998
Fakte kyce:
- Deri më sot, Celsi ka luajtur 49 ndeshje në Ligën e Kampioneve: 25 fitore, 12 barazime dhe 12 humbje. Barcelona ka shënuar 74 gola dhe ka pësuar 42 gola.
- Celsi në Europë ka luajtur 101 ndeshje, ku ka arritur 56 fitore, 24 barazime dhe 21 humbje, me 175 gola të shënuar dhe 80 të pësuar.
- Fitorja më e thellë e Celsit është 13-0 e arritur kundër FC Jeunesse Hautcharage në Kupën e Kupave, më 29.09.1971 në sezonin 1971-1972.
- Shevcenko është lojtari më me eksperiencë në Ligën e Kampioneve te Celsi. Ukrainasi ka zhvilluar 82 ndeshje dhe ka shënuar 43 gola. Pas tij vjen Klod Makelele me 76 ndeshje.