E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel Platini, i vetmi që mund të “blejë” presidentin Duka

Mishel Platini, kandidati për president i UEFA s, ka zyrtarizuar ardhjen në Shqipëri, me 8 nëntor. Francezi i famshëm do të marrë pjesë në inaugurimin e fushës së futbollit të shkolles "Hasan Vogli" në Tiranë, dhe do të zhvillojë bisedime me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, që konsiderohet një nga miqtë më të mirë të ish-kapitenit dhe trajnerit të përfaqësuese franceze. Në FSHF mësohet se do të vijë programi i detajuar i vizitës së francezit në Shqipëri, të cilën e ka hartuar vetë. Platini synon presidencën e UEFA-s dhe Shqipëria do të jetë starti i turit të tij elektoral. Pak ditë më parë, revista "France Football", ka botuar rezultatet e një sondazhi, lidhur me zgjedhjet për presidentin e UEFA-s. Për këtë post konkurrojnë presidenti aktual, Lenart Johanson, dhe francezi i famshëm Mishel Platini. Sipas revistes, Platini është në epërsi. "France Football" rendit federatat që janë pro secilit prej kandidatëve, si dhe ato që nuk e kanë vendosur ende, të paktën nga sa kanë deklaruar presidentet e tyre. "Bibla" e futbollit francez dhe atij europian radhit edhe një numer vendesh që, sipas saj, janë të prirura të votojnë për francezin, edhe pse nuk dihet me siguri. Midis përkrahësve të Platinisë është edhe Federata Shqiptare e Futbollit, por pa pasur të dhëna se përse ekziston ky opinion. Zgjedhjet për presidentin e UEFA-s do të zhvillohen në janar të vitit të ardhshëm, ku 52 presidentët e federatave anëtare do të zgjedhin midis suedezit 76-vjecar dhe francezit 51-vjecar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›