E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot dhe nesër, një numër skuadrash mund ta sigurojnë që tani kualifikimin


Nga Altin B. Kodra

Tashmë është kapërcyer gjysma e ndeshjeve në grup e Ligës së Kampioneve dhe janë pesë skuadrat të cilat kanë arritur të marrin pikë të plota nga tri ndeshjet e para, ndërkohë që një numër edhe më i madh shpreson të sigurojë kualifikimin për në fazën tjetër, atë të 16-shes, që në ndeshjet e kësaj mesjave, që do të luhen sot dhe nesër. Celsi, Bajerni i Mynihut, Valencia, Lioni dhe Mancester Junajtid, ende nuk kanë lëshuar qoftë edhe një pikë të vetem, por ato nuk janë të vetmet skuadra në një pozicion të favorshëm për të vazhduar më tej, pasi edhe Liverpuli, PSV-ja e Eind'hovenit, Roma, Reali i Madridit, Sëlltiku dhe Milani mund ta sigurojnë që këtë mesjavë vendin në vazot e shortit të turit pasardhës dhe "Standard" ju sjell juve në këtë analizë gjendjen e grupeve, me hipotezat që shpalosen për cdo skuadër. Grupi A Celsit i duhen tri pikë nga vizita që do t'i bëjë Barcelonës sot në "Nou Kamp", për të siguruar edhe matematikisht vendin në turin e 16-shes. Nëse anglezët ngadhënjejnë ndaj katallanëve sot, në fushën e këtyre të fundit, dhe Verder Bremeni nuk arrin të mundë Levskin e Sofies, atëherë skuadra e trajnerit portugez, Hoze Murinjo, do ta siguronte përfundimisht kreun e renditjes, pavarësisht se do të ketë edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur. Levski do të eliminohet përfundimisht, edhe nga Kupa UEFA, nëse munden në fushën e vet përballë Verder Bremenit dhe Barcelona fiton. Grupi B Një barazim në fushën e vet përballë portugezëve të Sportingut të Lisbonës do të mjaftojë për t'i siguruar Bajernit kualifikimin që sot për më tej. Kryesuesit e grupit mund të sigurojnë edhe matematikisht vendin e parë, nëse mundin Sportingun dhe Interi nuk arrin të marrë 3 pikët e plota në Moskë kundër Spartakut, në ndeshjen që, ndryshe nga të tjerat, do të luhet në ora 18:00 dhe jo në ora 20:45, për shkak të kushteve klimaterike në kryeqytetin rus. Nëse edhe Sportingu, edhe Interi fitojnë në ndeshjet e tyre, Spartakut i mbetet të luajë vetëm për vendin e tretë, dhe një vend më tej në Kupën UEFA, në dy ndeshjet që mbeten në grup. Grupi C Liverpuli dhe PSV-ja e Eind'hovenit duhet të marrin të dyja pikët maksimale nga ndeshjet në fushën e vet sot, përkatësisht kundër francezëve të Bordosë dhe turqve të Gallatasarajit, për të siguruar kalimin e tyre për në turin e 16-shes. Një barazim do të mjaftonte për secilën, nëse ndeshja e skuadrës tjetër do të vendoset në favor të vendasve. Grupi D Valencia do të kualifikohen për më tej, nëse dalin fitimtarë sot nga vizita që do t'i bëjnë në Ukrainë Shahtjorit të Donjeckut, ndonëse spanjollët mund të kualifikohen edhe me një barazim nëse Roma e vendit të dytë në grup, do të marrë vetëm një pikë në fushën e vet përballë grekëve të Olimpiakosit. Një fitore e Romës në kryeqytetin italian do të vuloste kualifikimin e verdhekuqve për më tej, për sa kohë që Shahtjori nuk do të arrijë të mundë Valencian. Përsa i përket dy skuadrave të fundit të renditjes, një fitore ose një barazim në Romë, do ta mbante ende "në valle" Olimpiakosin, ndërsa Shahtjori duhet të mundë Valencian ose të shpresojë që Roma të mos marrë pikët maksimale në ndeshjen e saj. Grupi E Lioni do të kualifikohet për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, nëse fiton ose barazon në ndeshjen që do të luajë nesër në fushën e vet kundër Dinamos së Kievit dhe Steauaja e Bukureshtit munden në Madrid përballë realit. Gjithsesi, Lioni do të vazhdojë për më tej me një fitore, nëse rumunët e Steauasë nuk arrijnë të marrin pikët e mundshme me Realin e Madridit, që nga ana e vet, do të sigurojë kualifikimin nëse mundin Steauanë dhe Dinamo e Kievit nuk arrin të fitojë në Francë, pasi madrilenët dhe francezët i kanë fituar përballjet kokë më kokë me klubin rumun. Mëse Reali i Madridit merr përballë Steauasë një rezultat më të mirë sesa ai që Dinamo do të arrijë në Lion, skuadra ukrainase do të eliminohet plotësisht. Grupi F Mancester Junajtid do të kualifikohet për më tej nëse arrin të dalë fitimtar nga vizita që do t'i bëjë nesër FC Kopenhagës në kryeqytetin danez. Një barazim do t'i mjaftonte anglezëve të drejtuar nga trajneri Aleks Ferguson, nëse Sëlltiku arrin të fitojë në ndeshjen tjetër të këtij grupi, atë kundër Benfikës në Portugali. Sëlltiku do të kualifikohet nëse fiton në ndeshjen e vet dhe FC Kopenhaga nuk arrin të fitojë në fushën e vet përballë Mancester Junajtid. Nëse, si kjo e fundit, ashtu edhe Sëlltiku fitojnë nesër, Benfikës dhe FC Kopenhagën do të përfshihen në betejën midis tyre për vendin e tretë. Grupi G Asnjëra nga skuadrat e këtij grupi nuk mund të sigurojë që nesër vendin e saj në shortin e turit pasardhës, pavarësisht nga rezultatet që do dhurojnë ndeshjet e së mërkurës, ajo midis Arsenalit dhe CSKA-së së Moskës, që do të luhet në Stadiumin "Emirates" në Londër, dhe ajo midis Hamburgut dhe Portos, që do të luhet në "AOL Arena" në Gjermani. Gjithsesi, Hamburgu do të eliminohet plotësisht nëse mundet në fushën e vet përballë portugezëve, dhe do të mbetet përfundimisht në vendin e fundit nëse Arsenali merr një apo më tepër pikë. Grupi H Një vend në 16-shen e fundit të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës e pret Milanin nëse arrin të mundë nesër belgët e Anderlehtit në "San Siro", dhe AEK-u i Athinës nuk arrin të bëjë të njëjtën gjë kundër francezëve të Lilës. Nëse Milani merr të paktën një pikë dhe AEK-u mundet, atëherë klubi grek nuk mund të shpresojë më për një vend midis dy të parave të grupit, duke u eliminuar kështu nga Liga e Kampioneve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›