Liga e Kampioneve, njihen të parët e 16-shes

Bajerni i Mynihut është mjaftuar me një barazim të bardhë dje në fushën e vet, në stadiumin e ri "Allianz Arena", përballë Sportingut të Lisbonës, por kjo u ka mundësuar bavarezëve që të sigurojnë të drejtën që emri i tyre të jetë në vazot e shortit të turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve, ashtu sic kanë bërë dje edhe Liverpuli e PSV-ja e Eindhovenit, në grupin C, si dhe Valencia, në grupin D. Pas ndeshjeve të katërta në fazën e ndeshjeve në grupe, për grupet A, B, C dhe D, është qartësuar disi tablloja e skuadrave që do të vijojnë për më tej në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës, por është vështirësuar mjaft jeta për fituesen në fuqi të këtij trofeu, Barcelonën, e cila ka udhëhequr deri në castet e fundit të ndeshjes së saj në "Nou Kamp" kundër Celsit, por është ndëshkuar nga sulmuesi i përfaqësueses së Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, i cili shënoi, duke fiksuar rezultatin në 2-2 dhe duke e lënë skuadrën londineze, kampione në fuqi të Anglisë, në një pozicion të favorshëm për t'i kualifikuar për më tej.
Barcelona e filloi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, kur mesfushori portugez, Deko, e kaloi skuadrën katalane në epërsi, me një goditje të fuqishme topazi në kufijtë e zonës, pas vetëm 3 minutash lojë , por Celsi u rikthye në lojë kur Frenk Lampard shënoi një gol të bukur, duke barazuar rezultatin në 1-1. mesfushori i përfaqësueses angleze depërtoi deri pranë fundore, por më pas e mposhti gardianin e portës katalane, Viktor Valdes, me një goditje të fortë nga një kënd mjaft i ngushtë, shtatë minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Gjithsesi, ishte pikërisht sulmuesi i përfaqësueses islandeze, Gudjonsen, i cili luaji për plot 6 vjet në "Stemford Bridxh" me Celsin, përpara se të kalonte gjatë verës te Barcelona, ai që e ndëshkoi ish-skuadrën e tij, duke përfituar nga një pasim i bukur i Ronaldinjos dhe duke e kaluar sërish skuadrën vendase në epërsi, vetëm 5 minuta pas barazimit momental të anglezëve. Por Drogba ka shënuar në minutën e tretë shtesë të pjesës së dytë dhe ka siguruar një pikë mjaft të cmuar për Celsin, por duke e lënë kështu Barcelonën në një pozitë të rrezikshme.
Duke qenë se Verder Bremeni fitoi dje 3-0 në Sofie ndaj Levskit, me tri gola të shënuar brenda katër minutave, nga ajo e 33-ta deri në të 37-n, janë gjermanët që ngjiten në vendin e dytë të grupit, me 7 pikë, tri pikë më pak se Celsi kryesues, ndërsa Barcelona mbetet në vendin e tretë me 5 pikë. Bullgarët e Levskit janë eliminuar, pasi nuk kanë arritur të marrin asnjë pikë nga këto 4 ndeshjet të deritanishme. Po kështu, matematikisht të eliminuar nga Liga e Kampioneve janë edhe turqit e Gallatasarajit, të cilët u mundën 0-2 në Eind'hoven të Holandës përballë PSV-së vendase, dhe francezët e Bordosë, të cilët u mundën 0-3 në Stadiumin "Anfilld", përballë Liverpulit vendas. Ndërkohë që janë anglezët dhe holandezët, me nga 10 pikë secila, Gallatasarajit dhe Bordosë, që kanë marrë vetë nga një pikë në këto katër ndeshje, u mbetet të luftojnë për një vend në Kupën UEFA.