E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona është favorite, por me Shtutgartin nuk do të jetë e lehtë

Champions Bordo me një këmbë në çerekfinale, por duhet të kontrollojë Olimpiakosin në një sfidë të vështirë

Programi i tetësheve të Champions League kompletohet sot me ndeshjet e kthimit mes Barcelonës e Shtutgartit dhe Bordosë e Olimpiakosit. Reflektorët janë përqendruar mbi Barcelonën kampione në fuqi e kontinentit. Në Gjermani, ndeshja e parë e mbyllur në barazim 1-1, i ka shpërblyer blaugranët përtej meritave të tyre. Në shtëpi, Mesi me shokë, të cilët vijnë pas një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Valencias, duhet t’i kujtojnë vetes se janë kampionët në fuqi të Europës, për të synuar më pas kualifikimin, si të vetmin objektiv të kësaj ndeshje. Në këtë sezon, mes kampionatit dhe kupave, Barcelona ka humbur në vetëm dy raste: në Champions kundër Rubin Kazan dhe në Kupën e Mbretit kundër Seviljes. Një e dhënë që të autorizon të shikosh me besim legjitim drejt fitores së 11-shes së Guardiolës (që agjencitë e basteve e japin në kuotën 1.25). Barazimi është ofruar në kuotën 5.50, ndërsa një sukses eventual i gjermanëve do ta shtonte me 10 herë fitimin e bastexhinjve. Guardiola do të mbështesë gjithçka mbi treshen e sulmit të përbërë nga Mesi, Ibra e Pedro, në mesfushë loja do t’i besohet Ksavit dhe Iniestës. Nga gjermanët titullar do të niset Molinaro, ndërsa në sulm do të jenë Progrebniak e Kakau, të cilët do të kenë detyrën për të vënë në vështirësi Pujol e Viktor Valdes. Shtutgarti duhet të zhbilancohet dhe, për pasojë, është shumë e mundur që të dalë në pah një sfidë spektakolare me shumë gola. Dani Alvesh nuk mendon se kjo ndeshje duhet marrë lehtë. Ai kërkon përqendrim maksimal te loja e kundërshtarëve. “Nëse nuk paraqitesh në 200% të formës në Champions, mund të mbetesh jashtë. Duhet të karikojmë mirë bateritë dhe të përgatitemi për sfidën me Shtutgartin. Unë dua të kualifikohemi për në turin tjetër. Kemi një mundësi të shkëlqyer përpara tifozëve tanë, pasi ndeshjen e kthimit e luajmë në Kamp Nou dhe nuk duhet ta shpërdorojmë. E kemi të qartë se sa i rëndësishëm është ky aktivitet për klubin dhe sa të vështira janë ndeshjet këtu. Hapi më i vogël fals dhe eliminohesh”. Në takimin tjetër, Bordo jepet në kuotën 1.55 përballë grekëve të Olimpiakosit (6.00), të cilët janë mundur në ndeshjen e parë 1-0. Prandaj francezët e kanë një këmbë tashmë në çerekfinale. Një barazim i mundshëm mes tyre është kuotuar vetëm me shifrën 3.75.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›