E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej Gramozit, Teuta shikon tek Europa

Durrës

Kuadrati i çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë do të mbyllet sot me sfidën e fundit, atë të kthimit mes Teutës dhe Gramozit. Kjo ndeshje do të luhet në “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Përballja e parë mes këtyre dy skuadrave, e cila u zhvillua në fushën asnjanëse në Elbasan, për shkak të pezullimit të fushës së Ersekës, është mbyllur në barazim 1-1. Ky rezultat favorizon durrsakët, të cilët do të siguronin një biletë për në gjysmëfinale edhe me një barazim pa gola. Gjithsesi futbolli ka treguar se asnjëherë nuk ka garanci 100%, ndaj kualifikimi mund të konsiderohet ende i hapur për të dyja ekipet. Trajneri i Teutës, Ylli Shehu, e konsideron si jetike sfidën ndaj Gramozit. “Nëse do të mund të kualifikohemi në këtë ndeshje, atëherë do të thotë se jemi ende brenda njërit prej objektivave sezonalë. Në njëfarë mënyre, kjo ndeshje është ajo që na cakton sezonin. Në kupë jemi tepër të përqendruar, pasi ne kërkojmë trofeun, që na jep Europën”, përfundoi tekniku i durrsakëve, i cili e vlerëson si të fortë kundërshtarin e sotëm. Ndërkohë që kompletimi i kuadratit të përballjeve në çerekfinale hap rrugën për caktimin e çifteve gjysmëfinaliste, gjë që do të bëhet përmes shortit, procedurë e cila do të konsumohet në ditët në vazhdim nga sektori i garave në FSHF.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›