Bent, një sulmues i nivelit botëror
Edhe pse vazhdon të jetë i pezulluar në kampionat, Lorik Cana vazhdon të jetë protagonist te Sandërlendi. Kapiteni shqiptar i “maceve të zeza” ka folur me superlativa për shokun e tij të skuadrës, Darren Bent. 26-vjeçari kuqezi beson se ish-lojtari i Totenhemit mund të shndërrohet në një prej sulmuesve më të mirë në botë. “Bomberi” ka realizuar 19 gola në të gjitha aktivitetet ku është aktivizuar me Sandërlendin, 18 prej të cilëve i ka realizuar në Premiership. Ai është anglezi i dytë në klasifikimin e golashënuesve të kampionatit, i kaluar vetëm nga ylli i Mançester Junajtid, Uejn Runi. Me këto paraqitje Bent shpreson të bindë Fabio Kapelon që ta përfshijë në skuadrën e “Tre Luanëve” për Botërorin 2010, ndërsa Cana nuk ngurroi ta “sponsorizonte”. “Ndoshta Darrenit i duhet edhe pak punë, por mund të bëhet një sulmues i nivelit botëror. Ai është ende i ri dhe ka kohën në favor. Këto nuk i them vetëm prej golave, por edhe për punën në shërbim të skuadrës, duke vrapuar dhe ushtruar presion ndaj mbrojtësve kundërshtarë. Gjithsesi, nuk është e lehtë të realizosh 18 gola me një skuadër, e cila po vuante prej muajsh për të arritur rezultate pozitive”, tha Cana.
#