Kupa, Shkumbini mbyt Dinamon
Shkumbini bën surprizën e madhe të këtyre ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Peqinasit kanë eliminuar skuadrën më në formë në këtë sezon, kryesuesen e klasifikimit, Dinamon, e cila ka udhëhequr kampionatin nga java e parë deri më tani dhe që tashmë ka bërë të vetin titullin kampion, por pret konfirmimin matematik. Kualifikimi i Shkumbinit ka ardhur bindshëm, me dy fitore, në të dyja ndeshjet, në Peqin dhe në Tiranë. Në ndeshjen e parë në shtëpi peqinasit kanë dalë fitimtarë me rezultatin 2-1. Ndërkohë, një Dinamo e lodhur dhe pa grintë u dorëzua përpara një Shkumbini shumë të kujdesshëm në “Qemal Stafa”, që falë triumfit 1-0 shikon veten në gjysmëfinale. Golin e fitores së çerekfinales së kthimit për peqinasit e ka shënuar Bakiu, në minutën e 89, duke shuar çdo lloj shprese të bluve kryeqytetas për ta çuar ndeshjen në shtesë dhe për të shpresuar te kualifikimi. 23-vjeçari Endri Bakiu, me 4 gola në 3 takime shndërrohet në një “vrasës” të bluve. Dështimi në këtë ndeshje ka irrituar pa masë trajnerin e Dinamos, Shkëlqim Muça, i cili nuk ka kursyer kritikat e ashpra në drejtim të lojtarëve të tij. Në përfundim të ndeshjes, me një fytyrë të ngrysur, ai ka dalë para gazetarëve në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka bërë një analizë rreth asaj që u pa në fushën e lojës. Për teknikun e kampionëve të rinj të Shqipërisë, që presin të zyrtarizohen brenda pak javësh, ka pranuar se ekipi i tij nuk e meritonte një kualifikim të mundshëm në Kupë, pas asaj që tregoi në 90 minutat e ndeshjes së kthimit. “Zhvilluam një lojë të dobët, nisi analizën e tij Muça. Më duket pak e çuditshme, pasi ndoshta lojtarët e mi menduan se një gol mund ta shënonin vetvetiu dhe me kalimin e minutave e humbën qetësinë. Shkumbini u tregua më luftarak, ndërsa prisja më shumë karakter nga ekipi im sidomos në pjesën e dytë”. Ishte pikërisht karakteri, pika ku numri një i pankinës së Dinamos kishte vënë theksin në dhomat e zhveshjeve gjatë pushimit mes dy pjesëve. “Në dhomat e zhveshjeve u thashë lojtarëve të mi: ‘Luani për veten tuaj, për karakterin tuaj’. Por një gjë e tillë nuk u reflektua në pjesën e dytë”. Trajneri pohon se skuadra kishte disa dëmtime, si Kuli, Muça, Sosa (i sëmurë), por shtoi: “Nuk dua të justifikohem”. Ky dështim duket se për ta ka shërbyer si një kambanë zgjimi, sepse u shua një ëndërr e shumëkërkuar për të dubluar trofetë, por edhe se në kampionat nuk i presin më ndeshje të lehta. Ndërsa në kampin tjetër, atë peqinas ka nisur festa për këtë triumf të madh të tyre. Presidenti i Shkumbinit, Ali Dyrmishi, beson se ekipi i tij “i ka të gjitha mundësitë ta fitojë Kupën e Shqipërisë”. Dinamo, përtej asaj që pritej, nuk e realizoi dot “misionin e pamundur”, për një fitore të dyfishtë në edicionin që përkon me 60-vjetorin e themelimit të klubit të Ministrisë së Brendshme, pasi u ndal nga një Shkumbin, që ka fituar 3 nga 4 takimet sezonale kundër bluve (2 në kupë e 1 në kampionat). Shkumbini futet për herë të katërt midis katër ekipeve më të mira të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që goli i Endri Bakiut është i 175 i realizuar nga peqinasit në 99 ndeshje historike të bardhekaltërve (49 fitore). Për herë të fundit në gjysmëfinale, Shkumbini ka qenë pjesë në edicionin 2006-2007, kur e eliminua nga Besa e Kavajës, fituese e trofeut në një finale kundër Teutës (3-2).
#