E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poker shkodran, Vllaznia në gjysmëfinalet e Kupës

Kuqeblutë Në “Loro Boriçi” shkëlqen sulmuesi 19-vjeçar Bekim Bala, me dy rrjeta të realizuara

Ashtu si pritej dhe si e kishte parashikuar kampi shkodran, çerekfinalja e Kupës së Shqipërisë ndërmjet Vllaznisë dhe Skënderbeut ka qenë një formalitet. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini ka fituar me rezultatin bindës 4-0 dhe shfaqet si një prej pretendenteve kryesore për të fituar trofeun e dytë për nga rëndësia në vend. Në stadiumin “Loro Boriçi”, në praninë e një numri të konsiderueshëm tifozësh për shkak të hyrjes falas, seria e golave u hap nga Bekim Bala. Sulmuesi i talentuar i kuqebluve është treguar i zgjuar, duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtjes dhe ka mposhtur portierin maqedonas të korçarëve, Kosturanov, kur kronometri tregonte vetëm 23 minuta lojë. Në të 29-n, Vllaznia dyfishon rezultatin me Elvis Krajën, i cili e dërgon topin në rrjetë pas një rrëmuje në zonën kundërshtare. Në këtë mënyrë, mbrojtësi shkodran ndëshkon ish-skuadrën e tij, Skënderbeun. Me gjithë avantazhin, vendasit kanë vazhduar të dominojnë në fushën e lojës, madje gjatë pjesës së parë kanë pasur edhe një tjetër rast të mirë për shënim, që nuk është shfrytëzuar. Fraksioni i dytë i lojës ka vazhduar me Vllazninë shumë kërkuese dhe me korçarët të shpërfytyruar dhe pa asnjë forcë për të reaguar. Në të 59-n ishte Ndriçim Shtubina ai që e trefishon rezultatin, duke mbajtur premtimin për të festuar 23-vjetorin e lindjes me gol. Për festën e tij të tepruar, poshtë tifozerisë ultras, mesfushori u ndëshkua edhe me karton të verdhë nga gjyqtari Lorenc Jemini. Minuta e 63 ka sjellë edhe golin e katërt të kuqebluve, me autor sërish Balën: sulmuesi ka ndjekur mjaft mirë një aksion nga e majta të Shtubinës dhe nuk e kishte aspak të vështirë që ta shoqëronte topin në rrjetë.
Rreth kësaj fitoreje, trajneri Martini është shprehur mjaft i kënaqur për paraqitjen e skuadrës. Ai ka kërkuar që Vllaznia të ruajë momentin e mirë të formës që po kalon, ndërsa nuk ka shfaqur asnjë preferencë për kundërshtarin e gjysmëfinaleve të Kupës, që do të përcaktohet me short. “Edhe pse kishim barazuar 0-0 në takimin e parë, objektivi ynë kryesor ishte që t’u ruheshim surprizave. Ishte një ditë shumë e mirë për skuadrën tonë, mbi të gjitha për dy sulmuesit Haxhibuliç dhe Bala”, deklaroi drejtuesi i stolit shkodran. “Kemi fituar siguri në potencialin tonë, por duhet të mundohemi të përfitojmë sa më shumë nga ky moment i mirë. Shorti i gjysmëfinaleve? Nuk kam asnjë preferencë për kundërshtarin”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›