Barcelona fiton 4-0 kundër Getafes

Pas fitores prej 4-0 kundër Getafes, Barcelona e ka shtuar edhe më shumë presionin kundrejt Real Madridit në garën për titullin e kampionit të Spanjës.
Vetëm një skuadër luajti në pjesën e parë, ndërsa skuadra tjetër mbrohej para gjashtëmbëdhjetëmetërshit. Megjithatë, edhe pse mund të shënonin shumë gola, vendasit realizuan vetëm dy herë në këtë pjesë.
Ishte minuta e 13-të kur Alexis Sanchez pranoi një top nga Leo Messi për t`i entuziazmuar të pranishmit në Camp Nou.
Në fund të pjesës së parë (44’), një aksion si në "PlayStation" mes Andres Iniestas dhe Lionel Messit, argjentinasi e përfundoi me një gol të bukur.
Vlen të përmendet se në këtë pjesë ishte edhe një gol i dyshimtë i Xavit, mirëpo, sipas gjyqtarëve, topi nuk e kaloi vijën fatale.
Edhe në gjysmën e dytë, katalunasit vazhduan dominimin, ndërsa arritën të shënojnë edhe dy gola të tjerë.
Një krosim të Isaac Cuencas e shndërroi në gol Alexis Sanchez (73’), i cili e mposhti me kokë portierin Moya.
Dy minuta më pas, Messi harkoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Pedro Rodriguez shënoi gol (75’).
Pas kësaj fitoreje, Barcelona ka 78 pikë, një më pak se Real Madridi që të mërkurën zhvillon derbin lokal ndaj Atletico Madridit.