Pendohet Balotelli

Mario Balotelli është penduar, pas gjesteve të pahijshme që i bëri në fundjavë në duel me Arsenalin. Sulmuesi italian u ndëshkua me karton të kuq në fund të takimit, por më parë e kishte bërë një ndërhyrje ‘killer’, që nuk e kishte parë gjyqtari.
Sjellja e ish futbollistit italian është kritikuar ashpër nga mediet angleze, por edhe nga menaxheri Roberto Mancini, i cili ka thënë se sezoni i përfaqësuesit italian merr fund këtu.
Pasi ishte suspenduar me katër ndeshje, Balotelli rrezikon ta marrë një dënim tjetër të ashpër nga Federata Angleze e Futbollit. Ai është i vetëdijshëm që sezoni për të mund të marrë fund qysh tash, ndërsa ndien keqardhje ndaj klubit dhe trajnerit Roberto Mancini.
“Më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, për zhgënjimin e dhënë Manchester Cityt dhe në veçanti trajnerit Roberto Mancini, të cilit ia dua të mirën”, ka thënë fillimisht Balotelli.
Ditë më parë, trajneri Mancini kishte thënë se në fund të sezonit futbollisti problematik do të shitet, pasi që nuk arriti ta ‘bie në vete’ në periudhën dyvjeçare sa qëndroi në Etihad Stadium. Ai rrezikon të dënohet 9 ndeshje. “Do ta pres vendimin final të dënimit. Sa i përket të ardhmes sime, do ta shohim në fund të sezonit. Do të flas me klubin dhe më pas dalim me një vendim”, shtoi Balotelli.
Sulmuesi italian ka frikë se ky dënim mund t’ia humb vendin në Kombëtare në prag të kampionatit evropian të futbollit ‘Euro 2012’. “Kombëtarja është shumë e rëndësishme për mua, por dje bëra dy faulle të pamatura. Nuk e kam thyer kodin etik. Një herë e kam humbur Kombëtaren për budallallëqe, nuk do ta bëj për herë të dytë. Shpresoj të jem në mesin e të ftuarve për Euro 2012”, tha në fund 21 vjeçari.
Ndërkohë, menaxheri i tij, Mino Raiola ka thënë se klienti i tij ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur. Menaxheri italian ka garantuar se trajneri Mancini nuk e ka ndërmend ta shesë futbollistin.
“Mendoj se ai i ka thënë ato gjëra pasi ka qenë i mllefosur pas ndeshjes. Mendoj se është keqkuptuar. Roberto më ka thënë se Federata mund të marrë vendime serioze, që do t’ia pamundësojnë Balotellit të luajë. Mario e ka ndërmend të mbetet në Angli dhe ai ka kontratë me Cityn”, ka shtuar Raiola.