Abidal transplanton mëlçinë

Diçka më shumë se një vit pasi ishte operuar për ta hequr kancerin në mëlçi, Eric Abidal i është nënshtruar të martën një intervenimi tjetër kirurgjik, atij të transplantimit të mëlçisë. Futbollisti francez kishte kaluar javë të tëra duke u përgatitur për intervenimin dhe duke u njohur me llojin e operimit, të cilit do t’i nënshtrohej.
Ndër të tjera, dhuruesi i mëlçisë, kushëriri i tij Gerard, ishte transferuar për disa javë në Barcelonë për të qenë i përgatitur kur spitali do ta kërkonte shërbimin e tij. Përfaqësuesi francez është futur në sallën e operimit, në qendrën spitalore BarnaClinic në orën 10 të mëngjesit, ndërsa operimi i tij ka filluar në mesditë dhe është finalizuar pas 8 orësh.
Intervenimin kirurgjik e ka bërë doktori prestigjioz Juan García Valdecasas, specialist i kirurgjisë në Universitat de Barcelona, shef i shërbimit të kirurgjisë në Hospital Clínic de Barcelona dhe president i shoqërisë ndërkombëtare të transplantimit (ILTS).
Mediet spanjolle kanë njoftuar se mbrojtësit të majtë francez i nevojiten disa muaj pushim dhe qysh tash kanë filluar dyshimet nëse Abidal do të mund të luajë me futboll. Ditë më parë, një mjek kishte thënë se përfaqësuesi francez nuk mund të luajë më, ngase futbolli është një sport ku nuk mungojnë duelet, teksa në këtë rast Abidal rrezikon ta dëmtojë mëlçinë e transplantuar. Është paraparë që Barcelona të dalë me një komunikatë për shtyp, pasi të marrë informata të hollësishme rreth rastit Abidal.