Barcelona “ngrin” në të ftohtin e Kazanit
Barcelona e ka vështirësuar disi kualifikimin për në turin tjetër të Ligës së Kampioneve, pas barazimit pa gola që arriti në fushën e vështirë të Rubin Kazanit. Përballë një skuadre të vendosur në mbrojtje dhe që për 90 minuta ka menduar vetëm të mos pësojë, kampionët në fuqi të Evropës e kanë patur të vështirë të shënojnë. Gjithsesi, dominimi i skuadrës së Guardiolës ka qenë i dukshëm edhe pse ndeshja luhej në temperaturën -4 gradë celsius. Pas vetëm 2 minutash lojë Zllatan Ibrahimoviç pati një mundësi të artë duke goditur shtyllën, ndërkohë që rastet vazhduan me Mesin dhe me Iniestën. Ky i fundit pati një mundësi të artë në limitet e pjesës së parë. Një pasim i dhënë nga Ibrahimoviç nga një goditje dënimi e nxorri mesfushorin katalanas vetëm me portierin rus, por ky i fundit u tregua më i saktë. Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtat ritme, por Rubin Kazani u tregua i rrezikshëm në 2-3 momente. Bukharov pati dy mundësi të mira pas dy kundërsulmeve të shpejta, por pa arritur të shënojë. Barça pavarësisht dominimit të dukshëm, me mbi 75 % të zotërimit të topit, nuk diti të gjejë rrugën e golit. Pas kësaj ndeshje, si Rubin Kazani, ashtu edhe Barcelona ngjiten në kuotën e 5 pikëve.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)