E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona mbyll sezonin me nje feste madheshtore

Pavarësisht se nuk u fituan dy trofetë e mëdhenj, sërish ky ishte një sezon i madh në Katalonjë. Katër trofe nuk mund të quhen pak edhe për një ekip të mësuar gjithnjë me ajkën. Në “Kamp Nou” hyn Barcelona, në atë që është festa e mbylljes së një edicioni të vështirë, me suksese, por edhe me zhgënjime të mëdha.

Yjet zbresin në fushë me radhë, Iniesta, Ksavi, Mesi. Ata shoqërohen nga fishekzjarrët që mrekullojnë tifozët dhe ndezin atmosferën.
Në këtë mjedis krejtësisht futbollistik gëzon ajo që quhet ende me të drejtë si skuadra më e mirë e botës dhe kënaqen ata që janë tifozët më fatlumë në rruzull, që prej 7 vjetësh të paktën.

Ky është edhe rasti për të përshëndetur për herë të fundit trajnerin Pep Guardiola, njeriun-emblemë të Barçës në 4 sezonet e fundit kur u fituan 14 trofe, në serinë më të suksesshme që njeh historia e futbollit.
Në fushë u zbritën 4 kupat e këtij sezoni që janë Superkupa e Spanjës, Superkupa e Europës, Kupa e Botës për klubet dhe Kupa e Mbretit në Spanjë.

Në 4 vjet, Guardiola nuk fitoi dot vetëm 4 kompeticione ku mori pjesë: dy herë kupën e mbretit, ku vjet u mund në finale nga Reali, dy herë Ligën e Kampionëve ku u eleminua dy herë në gjysmëfinale nga fituesit e mëpasshëm, Inter e Çelsi si dhe në kampionatin spanjoll këtë sezon, duke dalë i dyti pas Realit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›