E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët vënë kushte: Partizan, presim deri më 15 qershor!

Deputeti Andis Harasani, si përfaqësues i biznesmenëve amerikanë, pohon se është e patolerueshme zvarritja që po i bëhet privatizimit të klubit

 

Nga ILIR CARA

Që në momentin kur Ministria e Mbrojtjes hodhi hapin për transformimin e Partizanit, një grup biznesmenësh amerikanë kanë shfaqur interesin për ta blerë dhe për të zbatuar një projekt modern te demat e kuq. Ka më shumë se 6 muaj, që pala amerikane mbetet në pritje të procesit të privatizimit të klubit, në mënyrë që ti nënshtrohen ankandit të hapur. Ishte menduar se kjo procedurë do të bëhej në janar ose shkurt të këtij viti, por po vjen qershori dhe për momentin nuk ka asnjë date, kur mund të ndodhë transformimi i shumëpritur. Ministria e Mbrojtjes ka kohë që e ka plotësuar dosjen dhe ia ka kaluar Ministrisë së Ekonomisë, pasi është ky dikaster që merret me procesin e privatizimit. Është thënë prej ditësh se për momentin topi mbetet në dyert e Ministrisë së Ekonomisë, që, nëse e zvarrit më shumë çështjen, nuk është çudi që Partizani të vetpërjashtohet nga sezoni i ri, duke mos plotësuar kriteret e regjistrimit. Kjo zvarritje po i lodh të gjithë, aq sa edhe pala amerikane ka vënë afate. Deputeti Andis Harasani, si përfaqësues i biznesmenëve amerikanë, dje, në faqen e tij në facebook, ka komentuar situatën që po ndodh te Partizani. Po ashtu, ai jep lajmin se interesi amerikan për të kuqtë mbetet deri në 15 qershor. Harasani, si person i angazhuar në transformimin e Partizanit, vlerëson punën e bërë nga Ministria e Mbrojtjes, me në krye ministrin Arben Imami, por për të është e patolerueshme zvarritja që po i bëhet procesit të privatizimit.

Komenti i Harasanit Kam ndjekur me shumë vëmendje të gjithë procesin e privatizimit të klubit Partizani. Dhe duke falënderuar zyrtarisht Ministrinë e Mbrojtjes dhe ministrin Imami për gjithë mbështetjen që i kanë dhënë procesit, me duhet të them publikisht se është e patolerueshme zvarritja dhe përfshirja e personave përgjegjës për gjendjen ku ndodhet klubi në procesin e privatizimit. Gjithsesi, grupi i investitorëve të interesuar për Partizanin kanë vënë një afat deri në 15 Qershor 2012. Pas kësaj date, grupi i investitorëve, që unë përfaqësoj, nuk ka më interes për blerjen e klubit. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Në komentet e mëpasme Harasani sqaron miqtë e tij për kohën e pritjes së të interesuarve që kërkojnë të blejnë Partizanin, si dhe për ata që pretendojnë se janë aksionarë apo pronarë: Është çmenduri të mendosh se ka një vit që njerëzit duan ta blejnë dhe askush nuk e vë ujin në zjarr. Unë di jo katër, por 44 pronarë…, por ata janë pronarë, aq sa jam unë pronar te Barcelona. Ashtu si unë që nuk paguaj një lek për Barcelonën, as ata nuk paguajnë gjë për Partizanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›