Barcelona me Milanin, Reali rigjen Lionin
Kampionët e Barcelonës do të luftojnë për vendin e parë me Milanin. Është padyshim kjo një nga ndeshjet më të bukura që do të ofrojë Liga e Kampioneve në fazën me grupe të saj. Katalanasit janë grupuar së bashku me Milanin, Bate Borizovin dhe Plzenin në grupin e fundit, atë H, por duket se dy skuadrat e para, pikërisht blaugnarat dhe kuqezinjtë, do të luftojnë me njëra-tjetrën për kurorën e grupit. Finalistja tjetër e edicionit të fundit, Mançester Junajtid është grupuar në Grupin C eliminator, ku së bashku me Benfikën, Bazelin dhe Otelulin, do të luftojnë për kualifikimin. Në pamje të parë, duket një betejë e lehtë për djemtë e Sër Aleks Ferguson, pasi asnjë nga rivalët e tyre nuk duket në gjendje për t’ua rrëmyer vendin e parë.
Grupi më i fortë, ai i “ferrit” siç konsiderohet zakonisht grupimi i skuadrave të barazpeshuara me njëra-tjetërn, do të jetë ai A. Bajerni i Mynihut do të ketë detyrën e vështirë për të luftuar me Vilarealin, Mançester Sitin dhe Napolin. Gjithsesi, nëse ngushtojmë rrethin, duket se do të jenë pikërisht bavarezët dhe anglezët ata që do të ndajnë vendin e parë dhe të dytë në grup, por natyrisht që nuk do të jetë aspak e lehtë. Skuadra e Interit duket se do ta ketë një shëtitje fazën në grupe. Së bashku me CSKA-në e Moskës, Lilën dhe Trabzonsporin, italianët formojnë grupin B eliminator dhe duket se do të kenë një fushatë mëse të lehtë për kalimin në fazën e 1/8-ave.
Real Madridi rigjen sërish Lionin në grup, duke u shndërruar në një tjetër çift interesant që do ta ndajnë kualifikimin me Ajaksin dhe Dinamon e Zagrebit. Për skuadrën e Zhose Murinjos nuk duhet të ketë vështirësi në kapërcimin e këtyre tre pengesave që nuk mund të krahasohen nga cilësia me Realin.
Andre Vilash Boash arriti të shmangë Porton, pasi bashkë me Çelsin ishte kokë grupi, por gjeti Valencian, Leverkuesin dhe Genkun. Dy të parat do të jenë kundërshtarë të vështirë në betejën për kualifikim, ndërsa belgët e Genk janë të destinuar për të zënë vendin e fundit në grup.
Ndonëse u kualifikuan me vështirësi përballë Udinezes, Arsenali i Arsen Venger është në një grup jo të lehtë. Forma e e dobët që kanë treguar djemtë e tij, e shndërrojnë Marsejën dhe Dortmundin në rivalë të frikshëm, por kujdes duhet të tregohet edhe ndaj Olimpiakosit që së bashku me tre të tjerat formojnë grupin F eliminator. Ndërkohë, një grup jo aq i lehtë për Porton që do të përplaset me Shakhtarin, Zenitin dhe Apoelin. Dy skuadrat nga ish-Bashkimi Sovjetik mund të jenë një kërcënim real për skuadrën kampione të Europës, ndërsa Apoeli mund të shndërrohet në “hirushe” e kësaj Champions.
Grupi A
Bajern
Vilareal
Man Siti
Napoli
Grupi B
Inter
CSKA Moskë
Lilë
Trabzonspor
Grupi C
Man UTD
Benfika
Bazel
Otelul
Grupi D
Real Madrid
Lion
Ajaks
Dinamo Zagreb
Grupi E
Çelsi
Valencia
Leverkusen
Genk
Grupi F
Arsenal
Marsejë
Olimpiakos
Dortmund
Grupi G
Porto
Shakhtar
Zenit
Apoel
Grupi H
Barcelona
Milan
Bate
Plzen