Barcelona, më e mira në botë

Edhe pse pritej të ishte një duel i baraspeshuar, në fushë vërehej vetëm një ekip, ai i Pep Guardiolës që vazhdojë të konfirmojë superioritetin e saj. Kush tjetër përveç yllit argjentinas Lionel Messi e kaloi Barcelonën në epërsi pas 17 minutave lojë duke realizuar pas asistimit nga Xavi.
Shtatë minuta më vonë ishte vetë mesfushori spanjoll Xavi ai që dyfishoi epërsinë e Barcelonës para se Cesc Fabregas të shënojë për 3-0, që ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë.
Edhe 45 minutat e dyta kaluan nën shenjën e Barcelonës që kishte neutralizuar plotësisht sulmuesin e Santosit, Neymar të kërkuar nga shumë klube të mëdha evropiane. Në minutën e 82-të, Messi tregoi pse vazhdon të jetë futbollisti më i mirë në botë kur pas një shërbimi nga Dani Alves, kaloi portierin dhe shënoi për 4-0.
Magjia e tij duket sikur një burim i pashtershëm.