Operacioni Klose

Miroslav Klose është pa dyshim përforcimi më i qëlluar i Lazios, i bërë gjatë afatit kalimtar të verës, nëse jo më i rëndësishme nga të gjitha klubet në Serie A.
Meritat më të mëdha për ardhjen e sulmuesit të famshëm gjerman në kryeqytetin romak i takojnë drejtorit sportiv të klubit, ish-reprezentuesit shqiptar, Igli Tare, i cili arriti të sjellë në Romë njërin prej sulmuesve më të mëdhenj në histori të futbollit evropian.
Në një intervistë për portalin gjerman, Sport1, Tare ka treguar detajet e marrëveshjes me Klosen, por ka folur edhe për objektivat e skuadrës e shumëçka tjetër.
“Klose është një armë e fuqishme e skuadrës sonë. Kemi pritur dhe në fund erdhi. Jemi shumë të lumtur. Për ne është i rëndësishëm për atë që bën në fushë, por edhe jashtë saj, për skuadrën dhe klubin në përgjithësi. Ai lufton dhe këtë e bën shumë mirë”, tha Tare.
Çka është ajo që e bën Klosen kaq të rëndësishëm për Lazion? “Klose është ylli i heshtur. Ka mentalitet fitues dhe është për t’u admiruar si e motivon ekipin gjatë javës në stërvitje dhe si luan në vikend. Ishte objektiv imi nga momenti që u ofrua mundësia për ta transferuar. Ai është edhe person i madh”, shtoi ish-sulmuesi shqiptar.
Tare duket krenar që arriti të sjellë Klosen në Romë. “Nuk e shoh si sukses personal, ka qenë punë e ekipit. Presidenti ka besim në mua, sepse nuk ishte aq lehtë. Miro ka një epitet të lartë, luante në Bayern. Edhe trajneri kishte besim në mua. Andaj ndihem se jam i denjë për të punuar në Lazio”, theksoi ai.
Shumëkush kishte dyshime rreth asaj se sa do të arrijë Klose t’i ndihmojë Lazios duke pasur parasysh moshën e tij të konsiderueshme, 33 vjeç. “Por, ishte me rëndësi të provojmë, sidoqoftë. Miro vendosi të transferohej, sepse dëshironte të tregonte vlerat e tij para Euro 2012. Kështu më ka thënë në bisedën tonë të parë. Nuk ka kërkuar para. Me rëndësi për të ishte të gjente një ambient të ri, ishte një sfidë për të”, shpjegoi Tare.
Klose ka realizuar tetë gola nga 14 xhirot e deritashme në Serie A dhe shumë shpejt është shndërruar në idhull për tifozët e Lazios.
“Kështu është, më falni nëse jua them këtë duke shpresuar që Franz Beckenabuer nuk hidhërohet, por këtu te ne, Klose e ka nofkën Kaiser Klose (qesh)”, tregon Tare, i cili e njihte Klosen nga koha kur luante në Kaiserslautern.
Por, kontaktet mes tyre nuk kishin filluar deri para një viti. “Jemi dëgjuar në janar 2011. Nga momenti kur ishim në kërkim të një sulmuesi. Më shkoi mendja te Miro, por në atë kohë ishte vështirë, sepse Bayern nuk deshi ta shiste. Kemi pritur momentin e duhur, dhe jemi takuar. Për fat, e kemi bindur dhe pranoi të vijë”, thekson Tare.
Receta e suksesit të Kloses, sipas Tares, është: “Profesionist në gjithçka. Kur e kam sjellë në klub, kam synuar të krijoj një mentalitet gjerman dhe latin”. Falë Klose-golit, tifozët e Lazios ëndërrojnë Scudetton.
Por, Tare kërkon durim. “Unë shkoj ngadalë. Në klubin tonë është dashur të kalojmë periudha të vështira. Këtë vit jemi në mesin e tri ekipeve më të mira, por objektivi ynë është të kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve. Nëse e arrijmë këtë objektiv, do të realizojmë diçka të madhe”, përfundoi ai.