E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona, më e mira në histori

Ish selektori i Italisë, Marcello Lippi, beson se Barcelona është ekipi më i mirë në histori të futbollit. Ka pak dyshim se skuadra e Pep Guardiolas është aktualisht skuadra më e fuqishme.

Por, debati ekziston nëse ata janë më të mirët e të gjitha kohërave. Lippi është i sigurt rreth kësaj teme. “Për mua Barcelona është ekipi më i mirë i të gjitha kohërave”, tha Lippi për AS.com.

“Në histori të futbollit ju keni skuadra të mëdha si Ajax, Milan dhe Manchester United që kishin cikle të suksesshme, por Barcelona ka fituar gjithçka dhe futbollistët e saj i mundësuan Spanjës të fitojë Euro 2008 dhe Kampionatin botëror 2010”, shtoi 63 vjeçari.

Duke mos harruar Real Madridin, Lippi beson se Jose Mourinho ka bërë punë të mirë në Santiago Bernabeu. “Mourinho ka krijuar një grup të mirë dhe ata janë duke luajtur më mirë këtë vit, janë më të shpejtë, më teknikë. Por, fatkeqësia e Mourinhos është se duhet të ballafaqohet me njërin prej ekipeve më të mira në botë. Mourinho është trajner i mirë dhe ai e di si të mbrojë futbollistët e tij”, përfundoi Lippi.

Real Madridi takohet me Osasunan të dielën, ndërsa Barcelona ndeshet me Athletic Bilbaon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›