Nuk i intereson rekordi

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka theksuar se ka pak interesim për rekordin e golave, pavarësisht potencialit të skuadrës së tij ta thyejë atë. City ka realizuar 39 gola në 11 ndeshje të Premierligës, ndërsa me sulmuesit Edin Dzeko, Sergio Aguero dhe Mario Balotelli - të gjithë janë në formë - mund të priten edhe shumë të tjerë. Chelsea shënoi rekord të Premierligës me 103 gola në rrugëtim drejt titullit më 2009-2010 dhe kjo shifër mund të arrihet nga City, sipas statistikave aktuale.
Megjithatë, edhe pse është i lumtur me golat e shumtë të skuadrës së tij, Mancini insiston se është i lumtur me fitore, si do që të vijnë ato. I pyetur nëse rekordi i Chelseas është shkallë për t’u arritur, italiani tha: “Jo, ne duam të arrijmë më tepër se vitin e kaluar, vetëm kjo. Nuk preferoj të fitoj 1-0 para 4-0, por e di se është e pamundur të fitoni gjithmonë 3-0 ose 4-0. Do të ketë momente gjatë sezonit kur fitoret 1-0 do të jenë të mira”. Italianët kanë reputacion për mbrojtje të shkëlqyeshme dhe fitore me rezultat minimal 1-0.
Mancini shtoi : “Nëse mund të mbani portën e pamposhtur në çdo ndeshje, kjo është mirë”. Por, ai pranoi se ka kualitet të padiskutueshëm në dispozicion dhe arritja e rekordeve të tilla mund të jetë e pritur. “Është Sergio, Edin, Mario, Samir (Nasri) dhe Yaya (Toure), të gjithë këta futbollistë mund të shënojë në çdo ndeshje. Me rëndësi është të vazhdojmë të shënojmë. Është mirë që kemi tre sulmues me karakteristika të ndryshme. Edin, Mario dhe Sergio janë krejt të ndryshëm si sulmues, por kemi edhe shumë futbollistë prapa sulmuesve që janë në gjendje të shënojnë. Cili ekip tjetër ka këto opsione? Mendoj se është shumë e rëndësishme”, përfundoi ai.
City realizoi tri gola të shtunën në fitoren e mundimshme, por shumë të rëndësishme në udhëtim te QPR. Mirëpo, në marrjen e pikëve të plota skuadra e Mancinit u desh të luftojë mjaft, meqë vendasit nuk u dorëzuan lehtë dhe djersitën mirë Cityn, që megjithatë fitoi 2-3. City ruajti epërsinë prej pesë pikëve ndaj rivalit të qytetit Manchester United, kundërshtar ndaj të cilit muajin e kaluar kishte realizuar plot gjashtë gola (1-6) në Old Trafford.