Barcelona në finale përballë Mançesterit
Mundësia e Çelsit për t’u hakmarrë ndaj djajve pas finales së humbur sezonin e shkuar dështoi në minutën e 94-ët shtesë, atëherë kur dukej se gjithçka kishte përfunduar. Në “Stemford Brixh” përfundoi me rezultatin 1-1, i cili i dha mundësi skuadrës katalanase të mbërrijë në finalen e Romës. Skuadra e Hidinkut arrin të vërë diktat mbi spanjollët, falë skemave dinake të trajnerit holandez, fikut të lojtarëve, por edhe mbështetjes së tifozëve. Katalanasit, ata që i shënuan Realit gjashtë gola pak ditë më parë, e patën të pamundur të gjenin hapësira, madje shpesh rrezikuan të ndëshkoheshin rënd ënë mbrëmjen e djeshme. Pjesa e parë foli tërësisht për vendësit e Çelsit. Në minutën e 9-të të ndeshjes, ishte Majkëll Esein që me një gjuajtje nga distanca e dërgoi topin në rrjetë. Një kryevepër! Më pas blutë e Londrës arritën të mbroheshin mirë dhe të sulmonin rrezikshëm, por pa mundur të dyfishonin rezultatin. Barcelonës i mungon shumë Henri, Mesi është në fushë, por nuk bie fare në sy, ndërsa Ksavi dhe Iniesta vuajnë fizikun e “dinozaurëve” të Çelsit. Ndeshaj duket se përfundon në minutën e 66-të të ndeshjes, kur Abidal ndëshkohet me karton të kuq. Megjithatë, ekipi i Guardiolës nuk dorëzohet, pasi nuk ka asgjë për të humbur. Spanjollët besojnë deri në fund dhe arrijnë të bëjnë mrekullinë. Në minutën e 94-ët, ishte pikërisht mesfushori Iniesta, që pas një pasimi të saktë të Mesit, me një gjuajtje potente mnga jashtë zonës e dërgon topin në rrjetë duke shokuar londinezët. Ka shumë protesta dhe debate, por kjo nuk vlen për asgjë. Barcelona shkon në finale.