E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 21 vitesh, trofeu i Kupës shkon në Vlorë

 

Jetmir Halilaj

Me një gol “vrasës” në minutat shtesë, të realizuar nga mesfushori Hair Zeqiri, Flamurtari është shpallur fitues i Kupës së 57-të të Shqipërisë, duke mundur Tiranën me rezultatin 2-1. Ndeshja finale, e luajtur dje në “Niko Dovana”, ka qenë thuajse e gjitha vlonjate, teksa merita më e madhe i takoi kuqezinjve të trajnerit Memushi, për faktin se arritën të përmbysnin rezultatin. Bardheblutë u treguan të paqartë në mbrojtje dhe kësisoj, vlonjatët arritën të ndëshkonin në ato momente, kur nuk pritej nga Tirana. Kjo sfidë ishte e bukur edhe për tifozët, që shijuan 90 minuta me emocione. Goli në minutën shtesë bëri që të niste festa vlonjate për trofeun e tretë të Kupës në historinë e klubit “Flamurtari”, që rikthehet pas 21 vitesh. Fillimi i lojës flet për vlonjatët. Me kalimin e minutave, Tirana e merr veten dhe falë pasimeve të Mukës, arrin të dalë rrezikshëm në sulm. Krahu i majtë me Abrahamin dhe Agollin nuk funksionon si në ndeshjet e kaluara. E kundërta ndodh me vlonjatët, që gjithçka e kishin përqendruar nga e majta, edhe pse herë pas here futej në lojë Zeqiri nga krahu tjetër. Pas një loje më kërkuese të Flamurtarit, bardheblutë rregullojnë gjithçka në 15 minutat e fundit të pjesës së parë. Sinjalin e parë e jep Patushi, por që gjen Moçkën në pozicion. Atëherë kur kuqezinjtë mendonin për golin e tyre, e pësojnë nga një Tiranë, e cila deri në atë moment dukej racionale në fushë. Dabulla kalon në avantazh bardheblutë, pas gjuajtjes me kokë, duke qetësuar ekipin. Gjithçka në rregull për Tiranën, që tregohet cinike dhe shkon në pushim me një gol në “xhep”, ndërsa Flamurtari “qan” rastet e humbura. 
Përmbysja 
Pas dy tentativave radhazi, me protagonistë Memën e Kuqin, Flamurtari arrin ta mbyllë Tiranën për disa minuta në portën e vet. Megjithatë, 23 herë kampionët mbahen mirë dhe me disa topa të gjatë për Memellin e Xhafën, krijojnë alarm për mbrojtjen vlonjate. Por ajo që fiton është këmbëngulja vlonjate. Në një aksion të bukur të Shehajt, mbrojtësi Beqiri ngulmon në zonë, duke bërë sulmuesin dhe aty, njëri pas tjetrit gabojnë Abraham, Dabulla dhe portieri Nallbani, duke u “falur” kështu golin e barazimit kuqezinjve, me autor sulmuesin Mema. Minutat pas pësimit flasin më tepër për Tiranën, por as Muka dhe as Memelli dhe Xhafa nuk arrijnë të bëjnë diçka. Kur u duk se loja do të shkonte drejt kohës shtesë, një kundërsulm tipik i Flamurtarit gjen zbuluar mbrojtjen bardheblu dhe aty Zeqiri, me një goditje tokazi brenda zone, shënon golin që i dha trofeun e Kupës skuadrës vlonjate.  

Kapiteni kroat, ngre trofeun
Për herë të parë, trofeun e një ekipi shqiptar e ngre si kapiten, një futbollist i huaj. Ky është mbrojtësi i Flamurtarit, Branko Paniç, që mban shiritin e kapitenit të ekipit vlonjat. Kjo ishte një nga të veçantat e kësaj finaleje, që edhe për 31-vjeçarin kroat të kuqezinjve do të mbahet mend gjatë. Paniç është një nga futbollistët më të rëndësishëm të vlonjatëve në mbrojtje, e jo më kot trajneri Eqerem Memushi i ka besuar shiritin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›