E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi në kufijtë e vendit, një rast i dyshuar në Kosovë

 

Alarmi për shfaqjen e gripit të derrave përfshin Kosovën.  Një grua 27-vjeçare nga Stubulla e Vitisë ka humbur jetën dje pas komplikacioneve në zemër dhe mushkri. Lajmin për vdekjen e nënës së dy fëmijëve e kanë bërë të ditur zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik. Ata pohojnë se pritet konfirmimi i analizave për të parë nëse bëhet fjalë apo jo për virusin e rrezikshëm. Dyshimet për infektimin e mundshëm kanë ardhur pasi gruaja ishte kthyer përpara dy javëve nga Zvicra. Nga sa pohojnë familjarët ajo kishte vizituar përpara se të kthehej dhe të afërmit e saj në Itali e Gjermani. Për këtë arsye urgjentisht janë mbledhur të gjithë specialistët, të cilët e klasifikojnë si rast të dyshimtë të infektimit me virusin H1N1. Por ata pohojnë se përgjigjen përfundimtare pritet ta japë testi i tretë, i cili i është dorëzuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Megjithatë siç konfirmojnë familjarët, një tjetër simptome e shfaqur ditëve të fundit tek pacientja ka qenë zvogëlimi i rruazave të bardha të gjakut. Këto shenja sipas mjekëve i përkojnë sëmundjes së leuçemisë akute, nga e cila kishte ndërruar jetë vite më parë edhe motra e së ndjerës. Nga sa bëjnë me dije specialistët e shëndetit publik në Kosovë, familjarët e saj nuk kanë shfaqur asnjë shenjë të gripit. Në pritje të konfirmimit të rastit të dyshuar është rritur gatishmëria edhe në Shqipëri. Burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë pohuan për gazetën se menjëherë pas marrjes së lajmit janë vënë ne dijeni të gjithë specialistët e higjienës në pikën kufitare Morinit në Kukës, që lidh direkt vendin tonë me Kosovën. “Janë dezinfektuar të gjitha automjetet që kanë hyrë dhe janë kontrolluar udhëtarët për shenja të mundshme të gripit. Nuk ka asnjë të dyshuar”, sqaruan burimet.

Italia
Arrin në katër numri i të prekurve nga gripi i derrave në Itali, dy rastet e reja janë konfirmuar gjatë ditëve të fundit. Ministria e Shëndetësisë së Italisë ka konfirmuar dy raste të tjera në Romë, të prekur nga gripi i derrave. Një vajzë 16-vjeçare dhe një fëmijë 11-vjeç, të sapo kthyer nga Meksika, rezultuan infektuar. Ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar 985 persona të prekur nga gripi i derrave në 18 vende të botës, duke deklaruar që masat të mos neglizhohen.

Frikë  në marinën e SHBA
Një marins amerikan ka shfaqur disa ditë më parë shenja të gripit të derrave. Pas tij të njëjtat simptoma të virusit H1N1 i kanë shfaqur dhe 50 anëtarë të tjerë të anijes USS DU BUQUE, e cila do të nisej për një mision. Zëdhënësi i marinës tha se po shihen alternativa të tjera për të kryer misionin humanitar drejt paqësorit. Me anijen udhëtojnë zakonisht 400 pjesëtarë të ekuipazhit dhe 900 marinsa. Personat e sëmurë po trajtohen me antivirale, ndërsa atyre të paprekurve u janë dhënë profilaktikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›