E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vath Koreshi,40 poezi të pabotuara

 

Sot ai ka ditëlindjen. Do të mbushte 73 vjeç, por nuk mundi. Në muajin shkurt mbushi tre vjet që është ndarë nga jeta, por të afërmit e tij dhe ata që e njohën preferojnë më mirë t’i festojnë ditëlindjet dhe ditëndarjet. Sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe skenaristit, Vath Koreshi. Nuk është menduar ndonjë ceremoni e veçantë, por në këtë ditë të shënuar, e bija, Ermela, tregon për një vëllim poetik të pabotuar të të atit. Bëhet fjalë për një përmbledhje poezish, që vetë Koreshi e kishte përgatitur për botim përpara se të ndahej nga jeta. E kishte sistemuar, bërë gati, pa mundur ta shohë të botuar. Janë rreth 40 poezi, të shtrira në kohë. Ka ndër to, të krijuara qysh në vitet ’53, ’54, në vitet ’70, deri në vitet ’90. Janë poezi me temë intime apo copëza kujtimesh të poetit. Apo meditime. Një ndër to është poezia “N’u gdhifshim një ditë”, e shkruar në vitin 1974, apo “Guri i vjetër”, një poezi e vitit 1992. Janë poezi të pabotuara më parë, gati për botim, por familjarët thonë se ende nuk kanë ndonjë projekt për t’ia dhënë atë lexuesit.
Vath Koreshi lindi në vitin 1936 në qytetin e Lushnjës. Në vitin 1955 përfundoi politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, ndërsa në vitin 1960 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë. Ai është autor i shumë librave, ku veçohen një sërë vëllimesh me tregime, novela dhe romane. Por ai nuk do të kujtohet vetëm për krijimtarinë e tij të shumtë letrare. Shumë filma të suksesshëm dhe të pëlqyer për publikun shqiptar e kanë ngritur shtatin mbi skenarët e tij. Duke filluar që nga “Rrugë të bardha” (1974), “Liri a vdekje” (1978), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Dasma e Sakos” (1998), “Porta Eva” (1999) dhe deri te filmi më i fundit “Syri Magjik”, një bashkëpunim i 2005-ës me regjisorin Kujtim Çashku. Ky mbeti edhe suksesi i fundit që ai arriti ta përjetonte. Ndërkohë që në moshën 70-vjeçare pena e tij vazhdonte të ngjyroste mbi faqet e bardha. Romani i tij i fundit është “Çafka” i botuar në nëntor të 2005-ës nga “Onufri”. Vath Koreshi është nderuar në vitet ‘80 me Çmimin e Republikës për librin “Dasma e Sakos” dhe për skenarin e filmit “Gjeneral gramafoni”, ndërsa një vit më parë Këshilli i Qarkut të Fierit i dha titullin “Qytetar Nderi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›