E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës kërcënohet me eksplozivë

 

Për herë të parë që pas shpalljes së pavarësisë, qeveria e Kosovës ka marrë kërcënime për instalimin e disa mjeteve shpërthyese pranë godinës së saj. Lajmi erdhi disa orë pas njoftimit për anëtarësimin e Kosovës në FMN. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se përparimi i vendit po shqetëson individë të ndryshëm, por “nuk do të ketë pengesë që mund ta ndalë efikasitetin dhe shpejtësinë e suksesit të Kosovës”. Ai ka përmendur tërthorazi edhe mundësinë e një loje politike, duke u shprehur se, “Pushteti fitohet me votën e qytetarëve e jo me fjalor përçarës, akte dhune e me bomba”. Persona të panjohur e realizuan kërcënimin nëpërmjet postës elektronike, se në Qeverinë e Kosovës kishin vendosur një mjet shpërthyes. Punonjësit janë larguar nga zyrat duke qëndruar para ndërtesës, ndërsa njësitet e specializuara të policisë u vunë në kërkim të gjetjes së mjeteve të dyshimta. Pas kontrollit të ndërtesës së qeverisë për rreth tri orë, policia nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë. Autoritetet po punojnë për të identifikuar kërcënuesit, të cilët kanë pretenduar nëpërmjet një tjetër kërkese dërguar nga një institucion joqeveritar, 1 milion euro për të treguar vendet ku ishin vendosur eksplozivët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›