E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona ne finalen e Kupes se Mbretit ne Spanje

Pas Bilbaos, në finale doli edhe skuadra tjetër tradicionale. Kjo është Barcelona e cila mposhti Valencian 2-0 në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Mbretit falë golave të Fabregasit në të 16-ën dhe Ksavit në të 81-ën. Ndeshja e parë në “Mestaja” kishte përfunduar 1-1.
Në këtë mënyrë, skuadra e Pep Guardiolës krijoi çiftin finalist më normal të Kupës, pasi ndeshje më klasike se kjo nuk mund të ketë kur luftohet për emrin e Mbretit. Barça e Bilbao janë dy skuadrat që e kanë fituar më shumë se gjithë të tjerat kupën spanjolle.
Në ndeshjen e luajtur në “Kamp Nou” nuk munguan emocionet, me dy skuadra tërësisht ofensive dhe që krijuan disa raste për shënim.
Por, yjet e Barcelonës bëjnë diferencën. Fillimisht Fabregas e dërgon topin në rrjetë pas asistit të Lionel Mesit, ndërsa vetëm pak çaste përpara fërshëllimës finale, Ksavi mbylli virtualisht takimin.
Deri në ato çaste, Valencia nuk u dorëzua dhe rrezikoi, pavarësisht se luante në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Feghulit në të 77-ën. Finalja e Kupës së Mbretit do të luhet në mesin e muajit maj, ndërsa Barça e ka fituar kupën 25 herë, kurse Bilbao 23 herë. Pas tyre vjen Reali i Madridit me 18 trofe, por i eleminuar nga katalanasit në çerekfinale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›