E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus fluturon me Kaseres

Juventusi fiton 2-1 sfidën e parë me Milanin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Me këtë rezultat të arritur jashtë fushe, bardhezinjtë hipotekojnë finalen. Vendimtar për skuadrën e Antonio Kontes ishte uruguaiani Kaseres, me dy gola të realizuar.
Ndeshja në “San Siro” është zhvilluar mes polemikave për skualifikimin e Zlatan Ibrahimoviç dhe ankesave për gjyqtarët. Megjithatë, spektakli nuk mungoi, edhe sepse bëhej fjalë për një sfidë përpara duelit për titull që do të luhet në fund të shkurtit.
Milani rrezikon I pari me El Sharauin, në të 16-ën, që preferon goditjen dhe jot ë pasojë te Ibrahimoviç, ndërsa Juventusi reagon fillimisht me Estigarribian e më pas me Xhakerinin, më të mirin në fushë për skuadrën bardhezi në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, bardhezinjtë gjejnë heroin që askush nuk e priste: Kaseres. Në të 53-ën, uruguaiani dërgon në rrjetë një top të kthyer nga Amelia pas gjuajtjes së Borrielos.
Milani reagon dhe gjen barazimin 9 minuta më pas me El Sharauin, që shfrytëzon një pakujdesi të mbrojtjes kundërshtare. Por, vetëm pak minuta përpara fundit, Kaseres realizon golin e dytë, duke bërë që Juventusi të bëjë një hap gjigand drejt finales së Kupës, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në Torino më 21 mars.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›