E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona përfshihet nga kriza e dëmtimeve

TIRANE- Barcelonës do t'i duhet të luajë me një skuadër të përgjysmuar në ndeshjen ndaj Interit ditën e martë, tepër decizive për fatet e saj në Ligën e Kampioneve. Dëmtimeve të Zllatan Ibrahimoviç, Jaja Ture dhe Erik Abidal, u është shtuar ai i Lionel Mesit, shënjestra e mbrojtësve të Bilbaos të shtunën në mbrëmje. Argjentinasi pësoi një dëmtim në kofshë në sfidën e zhvilluar në "San Mames", që përfundoi në barazim 1-1 dhe është në dyshim serioz për të luajtur të martën në "Kamp Nou". "Në lidhje me Mesin, për të qenë i ndershëm shenjat nuk duken mirë, - tha Guardiola pas ndeshjes së të shtunës. - Jam i sigurt se ai ndjehet i dëshpëruar, askush nuk dëshiron të dëmtohet". Por, Guardiola ka marrë një lajm të mirë dje në mesditë, kur stafi mjekësor ka thënë se Mesi mund t'ia dalë. Ai ka bërë dje në mëngjes një ekografi dhe rezonancë magnetike, që ka konfirmuar se lojtari ka një shqetësim në kofshën e majtë, por që mund të rekuperohet. Për Barcelonën kjo është një nga javët më vendimtare, duke qenë se pas Interit, asaj i duhet të përballet me Realin e Madridit. "Do të luajmë me ata që kemi", tha i qetë trajneri Guardiola. Ai është duke pritur lajmet nga infermieria, sidomos për Markez, Ture dhe Abidal, që janë diagnostikuar me gripin e derrit A-H1N1. Ndërkohë, Dani Alvesh, autori i golit në ndeshjen ndaj Bilbaos, deklaroi se mungesa e Mesit do të jetë një problem vërtetë i madh.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›