E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullore e re për veprimtaritë valutore

TIRANE-Rezidentët dhe jorezidentët për shumat mbi 1 milion lekë ose kundërvleftën e tyre në valutë janë të detyruar të deklarojnë përpara autoriteteve doganore burimin dhe qëllimin e mbajtjes së tyre. Ky rregull përmbahet në rregulloren e re "Për veprimtarinë valutore", miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë më 30 shtator të këtij viti.
Rregullorja e re, që shfuqizon atë të marsit 2003, do të hyjë në fuqi më 7 dhjetor 2009, 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Rregullorja përcakton gjithashtu, se jorezidentët që vizitojnë përkohësisht Republikën e Shqipërisë mund të nxjerrin jashtë saj valutë në "cash" dhe/ose në çeqe udhëtarësh deri në shumën e deklaruar përpara autoriteteve doganore kur kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo shumë duhet të justifikohet me paraqitjen e deklaratës së plotësuar në momentin e hyrjes dhe dokumentet që shoqërojnë ndryshimet, nëse ka të tilla. Për sa u përket lëvizjeve fizike të arit dhe të metaleve të çmuara në pikat doganore, rezidentët dhe jorezidentët kanë të drejtë të transferojnë nga brenda-jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, arin dhe metalet e çmuara të standardizuara, vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Ata mund t'i transferojnë arin dhe metalet e çmuara të pastandardizuara nga pikat doganore, vetëm pas deklarimit në lidhje me burimin (origjinën) e tij, qëllimin e transferimit, sasinë që kërkohet të transferohet, kthimin ose jo të metaleve të çmuara dhe formën e kthimit. Dokumentacioni nuk kërkohet vetëm për bizhuteritë e përdorimit personal. Lidhur me transferime të kapitalit jashtë vendit, rregullorja përcakton se ai mund të kryhet nga persona fizikë, nëpërmjet subjekte të licencuara nga BSH, pas deklarimit të qëllimit të transferimit të kapitalit, deklarimit të burimit të krijimit të kapitalit që transferohet, shumës së kapitalit dhe adresës ku do të transferohet.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›