E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona, plas çështja "Eto‘o"

Është e vërtetë që në futboll nuk mund të qëndrosh kurrë i qetë. Në Itali, Interi jo vetëm që dominon kampionatin, por edhe dhuron gjithmonë ndonjë çështje interesante (Baloteli është vetëm i fundit në rresht). Ndërsa këtë vit, në Ligën spanjolle, të njëjtën gjë po e bën Barcelona, që është e para në klasifikim me 10 pikë distancë nga Reali, ka sulmin më të mirë (70 gola) dhe mbrojtjen më të mirë (18). Por prej disa ditësh në kampionatin katalanas po merr formë "një çështje Eto‘o". Sulmuesi kamerunas shënon në çdo ndeshje (me dopjetën kundër Betisit arrin në kuotën e 23 pikëve në kampionat dhe është në "pole position" për të fituar Këpucën e Artë), por shpesh dhe me dëshirë i lejon vetes bërjen e disa deklaratave, që krijojnë shumë "zhurmë". Ajo që ka bërë të hapen diskutime, ishte intervista e dhënë për revistën franceze "Sportweek", në të cilën Eto‘o ka bërë të ditur: "Skuadra ime e zemrës është Majorka. Te Barcelona punoj dhe vetëm kaq". Për më tepër ka thënë se e ka marrë tashmë një vendim, në lidhje me të ardhmen, por nuk e bën të ditur. Këto fjalitë e fundit kanë rindezur zërat e merkatos në lidhje me të. Shtypi spanjoll bën analizën e situatës dhe shkruan se Eto‘o është në një dilemë: të rinovojë kontratën, apo të ikë. Divorci mund të vijë në fund të sezonit, ose në verën e 2010-ës me parametra zero. Barcelona nuk duket e shqetësuar dhe synon ta zgjidhë çështjen brenda qershorit, duke marrë në konsideratë edhe mendimin e trajnerit Pep Guardiola. Megjithatë, dje menaxheri i sulmuesit kamerunas, Hose Maria Mesajes, ka ndërhyrë në shtypin spanjoll "Sport", duke folur pikërisht për deklaratat e dhëna këto ditë nga lojtari. "Fakti që nuk rinovon tani, nuk do të thotë se do të ikë. Kontrata e tij skadon në 2010-ën dhe ai ka thënë gjithmonë se dëshiron ta respektojë atë deri në fund". Por problemi i Eto‘o nuk është i vetmi i klubit katalanas. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, mësohet se i ka kërkuar pronarit të Real Majorkas, Binipuntiro, një kompensim prej 7% për studion legale "Laporta&Arbos Advocats Associats S.L.", për ndërmjetësimin e shitjes së klubit të Balearit për 60 milionë euro tek uzbeku Zemorax. E përditshmja "El Mundo" citonte dje burime anonime në lidhje me operacionin. Binipuntirò, sipas burimeve, e pranoi propozimin dhe u impenjua t‘i paguante komisionit 4,2 milionë euro, por operacioni nuk përfundoi, sepse në momentin kur po mbylleshin tratativat, u mësua që ekzistonte një marrëveshje ekskluzive e nënshkruar me anglezin Paul Davison. Në dijeni të domosdoshmërisë së Binipuntiros për të shitur paketën e tij aksionere te Majorka dhe të nisjes së procedurave për konkursin vullnetar të kreditorëve, studioja legale "Laporta&Arbos" i ofroi pronarit të klubit mundësinë për t‘i transferuar titullin Zeromax GMBH. Për ndërmjetësimin, studioja "Laporta" ka kërkuar 7% të çmimit të paguar nga blerësi. Por ende nuk i ka arkëtuar këto para.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›